Vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtari i posaçëm Erjon Bani: Gjykatat në Shqipëri s’kanë kushte për të ushtruar veprimtarinë e tyre
Magjistrati Erjon Bani, pas përfundimit të mbledhjes urgjente të KLGJ në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, u shpreh se Gjykatat në Shqipëri s’kanë kushte për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
“Nëse gjyqet zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve se s’ka salla gjykimi nuk mund të perceptohet drejtësia”, u shpreh gjyqtari i GJKKO-së. Ai theksoi se çdo masë e marrë për të shtuar sigurisë e punonjësve të drejtësisë është e mirëpritur.
Erjon Bani: Tani është fakt i ditur botërisht se të gjitha gjykatat në Shqipëri nuk kanë kushte për të ushtruar veprimtarinë e tyre në shërbim të publikut. Drejtësia është shërbim. Që shërbimi të jepet më i mirë duhen kushte. Nëse një gjyqtar hyn në të njëjtën derë me të gjitha palët, nuk mund të kesh siguri. Nëse gjyqet zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve se s’ka salla gjykimi nuk mund të perceptohet drejtësia.
Vendimi i qeverisë për masat shtesë?
Erjon Bani: Ia jep ligji për të marrë masa shtesë sigurie. Për ne janë të pranishme çdo lloj mase qoftë nga qeveria, qoftë nga legjislativi. Do të bashkëpunojmë me këdo për masat e sigurisë. Siguria e gjyqtarëve është thelbësore. Pa sigurinë e gjyqtarëve nuk mund të ketë drejtësi.
