Pilku: Kontrolli i ushqimeve ende i centralizuar, mungojnë akreditimet në laborator

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News me gazetaren Sonila Musai, ku foli mbi sigurinë ushqimore dhe sfidat që shoqërojnë kontrollin e produkteve që konsumohen çdo ditë nga qytetarët.

I pyetur nëse ekziston një kontroll i vazhdueshëm i produkteve ushqimore në treg, Pilku tha se sistemi aktual është ende i centralizuar dhe se Shqipëria ka vetëm një laborator shtetëror, i cili përballet me mungesë akreditimesh.

“Jo, ne e kemi të centralizuar. Kemi vetëm një laborator shtetëror, i cili ka mungesë akreditimesh,” u shpreh Pilku, duke shtuar se ndonëse ekziston një laborator shumë i mirë në sektorin privat, është pikërisht kostoja që vendoset nga ky sektor që paraqet sfidë për prodhuesit dhe konsumatorët.