Kreu i ERE Petrit Ahmeti i përfshirë në aferat Bankers dhe CEZ-DIA. 1.4 milionë euro ryshfet për uljen e çmimit të energjisë për kinezët e naftës. A do t’a falë sërish SPAK-u?
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë Petrit Ahmeti, i cili ka ditur të ‘driblojë’ mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, rezulton i përfshirë me fakte dhe prova në dy prej aferave më të mëdha financiare të dekadave të fundit; CEZ-DIA dhe Bankers.
Si administrator i ERE, Petrit Ahmeti ka favorizuar me uljen e çmimit të energjisë CEZ dhe Bankers, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm financiar me vlerë miliona euro.
Disa dëshmi dhe ortakëri të provuara, ngrenë dyshime të forta se në këmbim Petrit Ahmeti ka marrë qindra mijëra euro ryshfet nga CEZ dhe Bankers, para të cilat dyshohet se i ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Edhe pse implikimi i tij në dosjen CEZ-DIA është flagrant, SPAK e amnistoi Petrit Ahmetin, duke e shpëtuar nga përgjegjësia penale.
Në duart e SPAK-ut tashmë ka kaluar edhe dosja e Bankers si organizatë kriminale, për ‘gropën financiare’ 6 miliardë euro.
Për krijimin e kësaj ‘grope’, e cila konsiderohet si vjedhja më e madhe në histori, ka kontribuar edhe Petrit Ahmeti, me vendimin e uljes së çmimit të energjisë që Bankers blen tek shteti shqiptar.
Sipas përgjimeve, dyshohet se kinezët e Bankers i kanë dhënë Petrit Ahmetit 1.4 milionë euro ryshfet në këmbim të vendimit për uljen e çmimit të energjisë. A do t’a amnistojë sërish SPAK-u kreun e ERE, Petrit Ahmeti?
Petrit Ahmeti në dosjen CEZ-DIA
Në dosjen e SPAK-ut për korrupsionin e Ilir Metës, episodi CEZ-DIA, implikohen në afera korruptive edhe drejtorë dhe deputetë, të cilët çuditërisht nuk janë proceduar nga SPAK-u, edhe pse ata ‘fundosen’ nga dëshmitë e të penduarve, udhëtime, komunikime dhe lëvizje të parave.
Krahas deputetit Agron Çela, i cili ka marrë 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës i merrte paratë nga CEZ pa bërë asgjë, në pah si i implikuar del edhe kreu i ERE, Petrit Ahmeti, një personazh kyç i aferës CEZ.
Ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë DIA, Elvis Mataj, një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës dhe që bënte lëvizjet e parave, ka rrëfyer se Kastriot Ismailaj i ka dhënë 150 mijë euro kreut të ERE, Petrit Ahmeti, asokohe këshilltar i bordit të ERE, me qëllim për të ulur çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ dhe që CEZ më pas ua shiste shqiptarëve, duke fituar dhjetëra milionë euro.
Elvis Mataj ka treguar se administratori i DIA, Kastriot Ismailaj, që ishte eprori i tij në kompani, i ka dhënë 500 mijë euro bordit të ERE për t’i ulur çmimin e energjisë CEZ, ndërsa këshilltarit të bordit si sekser, Petrit Ahmetit, më vonë kreu i ERE, i ka dhënë 150 mijë euro, shumë të cilën ia ka kaluar pjesërisht.
Në vitin 2012, Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për të ulur çmimin me të cilin KESH i shiste energjinë CEZ-it, nga 2.8 lekë për kwh që ishte çmimi, ai u ul në 2.2 lekë për kwh.
Mataj e ka dhënë dëshminë për gazetarin Artan Hoxha pasi kishte informacione se Ilir Meta kishte kontraktuar një grup kriminal për t’a zhdukur si dëshmitar i aferës korruptive, pasi Meta ishte koka e historisë së CEZ-DIA.
Një kopje e dëshmisë së Elvis Matajt është dërguar në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ndërsa një kopje tjetër është dorëzuar në SPAK. Elvis Mataj, si truri financiar i operacionit korruptiv CEZ-DIA ka rrëfyer detaje rreth aferës, pagesat, urdhërat, kush merrte paratë, sekserët etj.
Kjo dëshmi është konsideruar nga SPAK dhe është bërë pjesë e dosjes, pasi përputhet me rezultatin e hetimeve të kryera.
CEZ i jepte para Kastiot Ismailajt jo vetëm për Ilir Metën dhe rrethin e tij, por edhe për të korruptuar ERE-n. Nuk dihet nëse SPAK ka kryer apo po kryen hetime për këtë episod korruptiv të kreut të ERE-s Petrit Ahmeti, i cili vitin e kaluar u emërua nga Kuvendi për një mandat të katërt në krye të ERE, në shkelje pasi ligji parashikon dy mandate.
Petrit Ahmeti ortak me Kastriot Ismailaj
Kreu i ERE Petrit Ahmeti është ortak në biznes me kreun e DIA Kastriot Ismailajn, për të cilin Elvis Mataj thotë se ka korruptuar me 150 mijë euro Ahmetin.
Konkretisht, Petrit Ahmeti është bashkëthemelues dhe aksioner me Kastriot Ismailaj në kompaninë ASSET sh.p.k, me nipt L01628004T, e cila bashkë me kompanitë CEZ-DIA ka vjelur në formë abuzuese interesa miliona euro në sektorin e energjisë për vite me radhë.
Nuk e dimë nëse SPAK po heton transaksionet e kësaj kompanie. Me pagë 53 mijë USD në vit, Petrit Ahmeti ka pasur personalisht aksione dhe interesa korruptive edhe në kompani të tjera private në fushën e energjisë, interesa këto të mbajtura në formë guacke nga persona të besuar në këto kompani (si kompania GSA sh.p.k, identifikuar me nipt J61820031J), e cila vjen në formën abuzuese në sektorin e energjisë prej vitesh, duke qenë vetë në funksion kyç publik.
Në maj të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmetin, duke e akuzuar se i ka shkaktuar një dëm prej 9 milionë euro buxhetit të shtetit.
Dosja u mbyll në mënyrë korruptive. Se si është mbyllur kjo dosje dhe kush ka firmosur, duhet të jetë objekt hetimi nga SPAK-u. Vjedhjet janë kryer gjatë kohës kur Ahmeti i shërbente Ilir Metës.
Në 10 tetor 2013, Petrit Ahmeti u emërua nga Kuvendi në krye të bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). “Suksese Petrit Ahmetit se ka punë të vështirë”, tha Ilir Meta pasi dha rezultatin e votimit si kryetar Kuvendi.
Emri i kreut të ERE-s, Petrit Ahmeti është përmendur në dosjen e Arbitrazhit në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek, dhënë në 26 tetor të vitit 2014.
Në dëshminë e tij, Hejsek pohon se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, i ndjeri Qazim Tepshi i cili ka rekomanduar Kastriot Ismailajn si një mbledhës të borxheve të jashtme të CEZ-it.
Më pas, së bashku me Ismailajn, Hejsek deklaron se ka shkuar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha, ku ishin të pranishëm edhe ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe kryetari aktual i ERE-s, Petrit Ahmeti, në atë kohë këshilltar zyrtar i Bordit të ERE-s.
Petrit Ahmetit i del emri edhe në aferën Bankers
Në dosjen hetimore të Bankers shfaqen edhe disa transaksione të tjera për të cilat prokuroria thotë se janë fiktive. Këto pagesa, që në total kishin vlerën 1.4 milionë euro, rezultojnë të jenë bërë për llogari të një firme private.
Në përgjimet që prokuroria ka kryer për llogari të hetimit, ka dhe një pasazh interesant ku flitet për këto pagesa. Në bisedat mes financiereve të Bankers flitet për një vendim të Entit Rregullator që ka ulur çmimin e energjisë për Bankers me 3 lekë për kilovat orë, nga 26 lekë në 23 lekë për kilovat.
Vendimi përkon me kohën kur Shqipëria po përballej me një situatë dramatike të energjisë. Në vitin 2022, KESH importoi mbi 500 milionë euro energji me çmime rekord dhe Edi Rama nisi të kërcënonte shqiptarët me rritje të çmimit të energjisë. Pikërisht në këtë kohë, Enti Rregullator i Energjisë me në krye Petrit Ahmetin kishte luksin të ulte çmimin e energjisë për Bankers Petroleum. ERE e justifikoi vendimin, me faktin se kompanitë e naftës e paguanin çmimin me shtrenjtë nga të tjerët dhe çmimi u ul për të tre kompanitë koncesionare që ishin në atë kohë.
Petrit Ahmeti, kreu i ERE
Megjithatë prokurorët nuk e kanë parë të arsyeshme të hetojnë nëse ka lidhje mes pagesave 1.4 milionë euro dhe vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për uljen e çmimit. Siç rezulton nga përgjimet, financieret e Bankers e dinë mirë. Ashtu siç duhet ta dijë edhe kryetari i Entit Rregullator i Energjisë.
Nga përgjimi i bisedave të lira ngrihen dyshime se Bankers ka dhënë ryshfet si CEZ për uljen e çmimit të energjisë. Si është kamufluar pagesa e korrupsionit me faturime fiktive, ku kanë përfuduar paratë, sa dhe si ka marrë Petrit Ahmeti, përgjigja i mbetet SPAK-ut./ Marrë nga "Prapaskena"

