BB: Ekonomia e Shqipërisë, rritje me 3,4% në 3-mujorin e parë 2025

Banka Botërore publikoi sot raportin e rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, vjeshtë 2025, ku njofton se ekonomia e Shqipërisë shënoi një rritje të moderuar prej 3,4% në terma vjetorë gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.

Kjo rritje, thekson raporti, pasqyron forcimin e kërkesës së huaj dhe një ngadalësim të lehtë të kërkesës së brendshme.

Inflacioni, thuhet në raport, qëndroi nën nivelin 3%, varfëria ra si rezultat i përmirësimit të tregjeve të punës, ndërsa borxhi publik vazhdoi tendencën rënëse.

Sipas raportit, megjithëse rreziqet e jashtme mbeten të pranishme, progresi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pritet të mbështesë besimin e investitorëve, vazhdimësinë e politikave dhe rritjen afatgjatë të vendit.

Ndër sektorët kryesorë që kontribuuan në rritjen ekonomike në tremujorin e parë ishin shërbimet dhe ndërtimi, të cilët kompensuan rëniet në sektorin e bujqësisë dhe disa sektorë të tjerë industrialë, pavarësisht ngadalësimit të rritjes së turizmit.

Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipëri, Massimiliano Paolucci, deklaroi se pritet që ekonomia shqiptare të vazhdojë të rritet, duke u mbështetur në reforma të forta.

“Ne presim që ekonomia e Shqipërisë të vazhdojë të rritet, e mbështetur nga reformat e forta. Prioritetet kryesore përfshijnë stabilitetin fiskal, zhvillimin e gjelbër, mbrojtjen më të mirë sociale, përmirësimin e shërbimeve digjitale dhe forcimin e lidhjeve me tregjet rajonale dhe ato të BE-së”, deklaroi menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipëri, Massimiliano Paolucci.

Raporti nënvizon përmirësimin e kushteve në tregun e punës, me rënien e papunësisë në 8,7% dhe rritjen e shkallës së punësimit në 69.5% për moshat 15-64 vjeç, si për burrat, ashtu edhe për gratë.

Sipas raportit, rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve kompensoi humbjet e vendeve të punës në bujqësi në tremujorin e parë të vitit 2025, duke e ulur shkallën e papunësisë në 8,7% dhe duke e rritur shkallën e punësimit (mosha 15 — 64 vjeç) në 69,5% si për burrat ashtu edhe për gratë.

Pavarësisht presioneve inflacioniste nga rritja e pagave, theksohet në raport, inflacioni mesatar gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 mbeti i ulët në 2,2%, i mbështetur nga forcimi i lekut dhe ngadalësimi i inflacionit në Eurozonë.

Në gjysmën e parë të vitit 2025, sipas raportit, politika fiskale mbështeti kërkesën përmes një lehtësimi të moderuar, me suficitin e përgjithshëm fiskal që u ngushtua në 2,7% të PBB-së nga 4,3% një vit më parë.

“Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në 3,7% në vitin 2025 dhe 3,5% në periudhë afatmesme, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Megjithatë, një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1% mbi skenarin bazë si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së.