Miratohen procedurat e reja për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar
Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar”.
Ndryshimet synojnë përmirësimin e procesit të aplikimit dhe shqyrtimit të projekteve që mund të kenë ndikim në mjedisin e shteteve fqinje.
Sipas vendimit të ri, zhvilluesit e projekteve duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin përkatës në mënyrë elektronike pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin që në fazat fillestare të planifikimit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas shqyrtimit të projektit, do të vlerësojë nëse ai mund të ketë ndikim ndërkufitar dhe, nëse po, do të kërkojë dokumentacion shtesë dhe do të informojë palët e interesuara, përfshirë shtetet fqinje.
Procesi i konsultimit dhe i vlerësimit do të kryhet në afate të përcaktuara, ndërsa në rolin koordinues dhe zbatues, Agjencia Kombëtare e Mjedisit merr detyra të reja që më parë i përkisnin ministrisë.
“Agjencia Kombëtare e Mjedisit, brenda 20 ditëve punë nga data e marrjes së formatit të njoftimit dhe dokumentacionit shoqërues, përcjell praktikën për mendim/konsultim në lidhje me çështjet që kërkojnë të merren parasysh në raportin e VNM-së, duke theksuar edhe afatin prej 20 (njëzet) ditësh punë për dërgimin e mendimit të tyre tek institucionet e mëposhtme”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, përfshihen më qartë edhe institucionet që duhet të japin mendime lidhur me ndikimet e mundshme të projekteve, si ministritë e linjës, njësitë e vetëqeverisjes vendore, agjencitë rajonale të mjedisit dhe institucionet përgjegjëse për autorizime, zhvillim, shëndet publik dhe menaxhim të emergjencave.

