Jaupaj: Menaxhim më i mirë përmes Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot, në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili parashikon edhe krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.

Jaupaj tha se modeli i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, (OKTM), nuk është eksperiment por model që është në disa vende të BE-së.

“Hungaria ka një model kombëtar të trajtimit të mbetjeve në të gjitha bashkitë në të gjitha nivelet e pushtetit vendor ka një agjenci kombëtare që merret me çështjen e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve. Modelet e Suedisë dhe Italisë e disa vendeve të tjera parashikojnë modele të qendërzuara në lidhje me trajtimin e mbetjeve”, theksoi Jaupaj.

“Në Shqipëri modele të ngjashme kemi në fushën e energjetikës, të cilët janë modele të suksesshme siç janë OSSHE, OST e të tjerë, të cilët kanë sjellë një përmirësim të fushës përkatëse”, tha Jaupaj.

Sipas tij, ky model parashikohet që sipas këtij pr/ligji të prezantohet edhe në fushën e menaxhimit të mbetjeve, pasi kemi të bëjmë me një infrastrukturë kritike, e cila ka nevojë për një menaxhim më të mirë.

“Nuk shkel siç e thashë edhe më parë autonominë vendore të bashkive, pasi bashkitë vazhdojnë të jenë përgjegjëset kryesore për menaxhimin e integruar të mbetjeve brenda territorit të tyre. Ajo çfarë Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve bën është menaxhimi i infrastrukturës fundore dhe trajtimit fundor rajonal të mbetjeve”, shtoi Jaupaj.

Ministri i Mjedisit, Jaupaj bëri të ditur se sot “kemi 7 impiante të trajtimit të mbetjeve rajonale, ku secili prej tyre ka një model menaxhimi të ndryshëm”.

“Kryesisht nuk janë shumica e bashkive ato të cilat menaxhojnë këto impiante rajonale të trajtimit të mbetjeve që ka sjellë edhe një pjesë e mirë e tyre nuk kanë aftësitë financiare apo edhe teknike për të kryer investimet e nevojshme në mënyrë që të jenë operative”, vuri në dukje ai.

Në lidhje me tarifat, Jaupaj sqaroi se “pr/ligji parashikon një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave për metodologjinë e tarifave”.

“Këtë angazhim e kemi marrë së bashku me ekspertë ndërkombëtarë që të parashikojmë një metodologji për përcaktimin e tarifave, e cila të jetë e përshtatshme për Republikën e Shqipërisë dhe të jetë lehtësisht e aplikueshme. Sa i takon tarifave që paguhen nga qytetarët shqiptarë për fushën e menaxhimit të mbetjeve kemi tarifat shumë herë më të ulëta se vendet  e tjera”, tha Jaupaj duke shtuar se menaxhimi i integruar i të mbetjeve është një operacion që kushton.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me menaxhimin e mbetjeve, Jaupaj tha se situata është krejt ndryshe nga vitet e shkuara.

“Në vitin 2013 kishim vetëm një landfill rajonal atë të Bushatit. Sot kemi infrastrukturë shumë më moderne për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Janë trashëguar gjatë periudhës së tranzicionit 202 venddepozitime ilegale sepse e tillë ishte situata”, theksoi ministri i Mjedisit.

“Gjatë kësaj periudhe është mbyllur një pjesë e mirë e tyre dhe deri në 2030 do të mbyllen të gjitha venddepozitimet ilegale”, theksoi Jaupaj.

Jaupaj vuri në dukje se pr.ligj “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, reflekton standardet më të lartë të BE-së në përputhje me kërkesat e Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Kapitulli i mjedisit është një nga kapitujt më të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit, detyrimet e të cilit përcaktojnë nenin 70 të Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit që parashikon domosdoshmërinë e legjislacionit vendas me atë europian.

Jaupaj  u shpreh se në disa rajone të vendit janë ndërtuar dhe janë vënë në funksion disa landfille moderne, të projektuara sipas direktivave të BE-së për sigurinë mjedisore.

“Në të njëjtën kohë janë ngritur impiante të reja të trajtimit të mbetjeve. Këto investime nuk janë vetëm infrastrukturore, por dëshmi e një angazhimi për një Shqipëri më të pastër, më të gjelbër dhe më dinjitoze. Një hap tjetër i rëndësishëm është zhvillimi i impianteve të kompostimit dhe riciklimit”, tha Jaupaj.