Miratohen rregullat e reja për funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të AAPAA

Qeveria ka miratuar sot rregullat e reja për funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, të akredituar nga Bashkimi Evropian.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për miratimin e rregullave të hollësishme për veprimtarinë, emërimin, shkarkimin dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian”.

Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Evropian në Republikën e Shqipërisë, si dhe të procedurës për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të tij.

Sipas vendimit, Këshilli Mbikëqyrës e ushtron veprimtarinë në bazë të rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

Vendimi thekson se, Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 3 anëtarë, një nga të cilët është kryetar, dhe emërohen nga Kryeministri, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

Emërimi i kryetarit dhe të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës bazohet në një procedurë të hapur e publike të konkurrimit të kryer nga Kryeministria.

Sa i takon zhvillimit të mbledhjeve dhe vendimmarrjes, sipas vendimit, Këshilli Mbikëqyrës mblidhet jo më pak se një herë në 3 muaj.

Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës thirret me nismën e kryetarit dhe/ose me kërkesën e një anëtari, si dhe kur kërkohet nga drejtori i përgjithshëm i AAPAA-së, sipas nevojave të institucionit. Në dy rastet e fundit, kërkesa i drejtohet kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.

Mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës janë të vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se 2 anëtarë.

Ndërsa shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje për kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës bëhet sipas përcaktimeve të vendimit nr. 656, datë 31.10.2018, Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.