Prodhimi i kakaos në Liberi nxit shpyllëzimin masiv, aktivistët i bëjnë thirrje Evropës të veprojë

Një hetim i ri nga Shoqata e Iniciativave për Zhvillimin e Komunitetit dhe Ruajtjen e Pyjeve (IDEF) ka zbuluar nivele alarmante të shpyllëzimit të paligjshëm në Liberi, të nxitur nga zgjerimi i prodhimit të kakaos.

Sipas raportit, fermerët po pastrojnë masivisht pyjet tropikale për të krijuar plantacione të reja, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore dhe sociale.

Vetëm në rajonin e Grand Gedeh, që nga viti 2020 janë prerë afro 500,000 hektarë pyje primare, të kthyer më pas në plantacione kakaoje.

“Shkalla e shpyllëzimit është kolosale,” deklaroi Drejtori Ekzekutiv i IDEF-it, Bakary Traoré, duke shtuar se familjet lokale kanë ceduar parcela që variojnë nga 50 deri në 300 hektarë, shumë më tepër se në vitin e kaluar.

Raporti gjithashtu vë në dukje rritjen e trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe punës së fëmijëve në zonat e prekura nga prodhimi i kakaos.

Pse prodhuesit po i drejtohen Liberisë

Industria e kakaos në Bregun e Fildishtë, eksportuesi më i madh në botë, ka degraduar ndjeshëm tokën pas dekadash shfrytëzimi intensiv dhe përdorimi kimik.

Për pasojë, shumë prodhues po kalojnë kufirin drejt Liberisë, pavarësisht se shpyllëzimi është i paligjshëm sipas ligjit vendas.

Sipas Global Forest Watch, vetëm në vitin 2024, Liberia humbi 162,000 hektarë pyje natyrore.

BE-ja, importuesi më i madh global i kakaos, ka miratuar në vitin 2023 Rregulloren për Shpyllëzimin (EUDR), e cila ndalon tregtimin e produkteve që lidhen me shkatërrimin e pyjeve, përfshirë kakaon.

Megjithatë, zbatimi i plotë i saj është shtyrë deri në dhjetor 2026, gjë që, sipas IDEF-it, mund të ketë pasoja katastrofike.

“Ndërsa Evropa ngurron dhe shtyn zbatimin e ligjit të saj, në Liberi nuk do të ketë më pyje – dhe do të jetë tepër vonë,” paralajmëroi Traoré.