Shkeljet e hapësirës ajrore në Europë, Ursula Von Der Leyen: Diçka e rrezikshme po ndodh në qiellin tonë! Kjo është luftë hibride

Gjatë fjalimit në seancën plenare të Parlamentit Europian, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen lëshoi një paralajmërim të qartë se shkeljet e fundit të hapësirës ajrore europiane përbëjnë luftë hibride.

“Inkursionet e fundit në qiellin tonë janë pjesë e një modeli të kërcënimeve në rritje”, tha Ursula von der Leyen.

“Është koha ta cilësojmë me emrin e vet. Kjo është luftë hibride. Evropa duhet të fitojë aftësinë për të reaguar dhe për të mbrojtur qiellin tonë.”

“Ne duhet të hetojmë çdo incident”, vuri në dukje ajo, duke theksuar se Rusia dëshiron ta ndajë Evropën.

“Evropa duhet të ketë aftësinë strategjike për t’u përgjigjur. Ne duhet të jemi të gatshëm të përgjigjemi në kohë reale”, theksoi ajo, duke shpjeguar se hapat e ardhshëm të mbrojtjes duhet të planifikohen së bashku me NATO-n.

Ajo theksoi gjithashtu se “muri i dronëve është përgjigjja jonë ndaj sfidave të reja ushtarake”, duke shpjeguar se “BE-ja nuk mund të përdorë avionë luftarakë dhe raketa për të rrëzuar dronë të lirë”.

“Ne kemi nevojë për një sistem anti-dronë për identifikim, përgjim dhe neutralizim të shpejtë”, tha ajo.

“Pa një industri të fortë mbrojtëse brenda BE-së, asgjë nga ato që duhet bërë nuk do të jetë e qëndrueshme. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të mbrojtjes së Evropës drejtohet jashtë BE-së”, shtoi ajo.

“Zgjedhja është shumë e thjeshtë. Ose mund të jemi frikacakë dhe të shohim kërcënimet ruse të rriten, ose mund t’i përballemi atyre”, përfundoi Ursula von der Leyen.