Presidenti argjentinas si rock star, ndërsa vendi është në krizë
Presidenti “rock star” i Argjentinës, Javier Milei, nuk ka arritur të gjejë shumë kënaqësi kohët e fundit, ndërsa premtimi i tij për të udhëhequr vendin drejt një epoke të re begatie, është ndeshur me një valë vështirësish ekonomike, skandalesh dhe pakënaqësie publike.
Por të hënën në mbrëmje, populisti nga Amerika e Jugut me flokë të çrregullta – ish-vokalist i një grupi rock star – doli në skenë në Buenos Aires, me shpresën se do të këndonte për të dalë nga kjo gjendje.
“Olé, olé, olé, olé! Milei! Milei!” brohoritën mijëra mbështetës të zjarrtë, ndërsa libertariani 54-vjeçar hapi koncertin në Movistar Arena të qytetit – një arenë me 15 mijë vende, që më parë ka pritur artistë si Liam Gallagher, Judas Priest dhe Megadeth.
Milei u gëzua nga adhurimi për të nga ana e turmës, ngriti krahët në ajër dhe piu një gllënjkë ujë, përpara se të fillonte setin e tij me nëntë këngë, kryesisht hite rock nga vitet 1980. “Jam njeri”, u tha ai të pranishmëve në stadiumin e mbushur. “Ndoshta nuk dukem si i tillë, por jam”.
Milei erdhi në pushtet gati dy vite më parë, duke premtuar se do të shpëtonte ekonominë famëkeqe të paqëndrueshme të vendit të tij duke “shfarosur” inflacionin dhe duke përdorur një “sharrë elektrike” si metaforë për shpenzimet shtetërore.
“Ashtu si rënia e Murit të Berlinit shënoi fundin e një epoke tragjike për botën, këto zgjedhje përfaqësojnë një pikë kthese në historinë tonë”, deklaroi këngëtari që imiton Mick Jagger-in, i kthyer në politikan, kur mori detyrën në dhjetor 2023.
Për një kohë, fushata e ashpër e masave shtrënguese e Mileit dukej se po funksiononte – të paktën për disa – me suksesin e presidentit në frenimin e inflacionit thuajse trefish, që fitoi lavdërime ndërkombëtare.
Donald Trump përgëzoi përpjekjet e Mileit për të “Rikthyer Madhështinë e Argjentinës”. Udhëheqësja e Partisë Konservatore në Britani, Kemi Badenoch, tha se shpresonte të bëhej një version britanik i presidentit argjentinas.
Historiani konservator Niall Ferguson udhëtoi drejt Buenos Airesit për të intervistuar presidentin dhe për të festuar “rimëkëmbjen mahnitëse” që, sipas tij, kishte sjellë “terapia e shokut” e Mileit.
“Me flokët e çrregullt dhe shprehjet e çuditshme të fytyrës, ai të kujton jo pak personazhin Mad Hatter”, shkroi Ferguson në korrik. “[Por] Milei po sjell një mrekulli të krijuar nga njeriu, që duhet t’ia ngrohë zemrën çdo ekonomisti klasik dhe t’i rrisë adrenalinën çdo liberali politik”.
Megjithatë, javët e fundit duket se “rrotat” e revolucionit të Mileit kanë filluar të bien.
Dyshimet për të ardhmen e tij politike kanë frikësuar tregjet dhe kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të pesos argjentinase, ndërsa qeveria ka shpenzuar rezervat e pakta ndërkombëtare për të frenuar krizën.
Në gusht, Milei u godit me gurë nga protestues të zemëruar për shkak të një skandali korrupsioni, që përfshin një nga figurat më të fuqishme të administratës së tij: motrën dhe njëkohësisht shefen e kabinetit, Karina Milei.
Në shtator, partia e tij La Libertad Avanza pësoi një disfatë poshtëruese në zgjedhjet lokale në Buenos Aires – ku jeton gati 40% e popullsisë së Argjentinës – dhe mbështetësit e Mileit kanë frikë se kandidatë të tyre mund të përballen me një humbje të ngjashme në zgjedhjet e përgjithshme të mes-mandatit, në fund të këtij muaji.
Të dielën, një aleat i afërt i Mileit, José Luis Espert, u detyrua të tërhiqej nga zgjedhjet, pasi pranoi se kishte marrë një pagesë prej 200 mijë dollarësh nga një trafikant droge i dyshuar.
“[Milei] është në një krizë të thellë: të qeverisjes, të presidencës vetë, të mbështetjes popullore dhe të aftësisë së tij për t’u lidhur me të rinjtë”, tha gazetari Sebastián Lacunza, i cili zbuloi skandalin.
Lacunza shtoi se besimi ndaj Mileit po zbehet me shpejtësi për shkak të pikëpyetjeve mbi etikën e tij, si edhe për shkak të pasojave njerëzore të shkurtimeve drastike.
“Shkurtimet me ‘sharrë elektrike’ kanë prekur shtresa shumë të ndjeshme: të ardhurat e pensionistëve, spitalet pediatrike publike më të mira, universitetet dhe familjet që përballen me çmime gjithnjë e më të larta për energjinë dhe ushqimet”.
Kjo krizë është aq e thellë sa që muajin e kaluar Donald Trump ndërhyri me një paketë emergjente ndihme deri në 20 miliardë dollarë, ndërsa presidenti amerikan deklaroi se do e mbështesë presidentin argjentinas. “Ne e mbështesim 100% – mendojmë se po bën një punë fantastike”.
Edhe besnikët e Mileit që u mblodhën në koncertin e së hënës pranuan se Argjentina ishte në gjendje të rëndë. “Vendi është një rrëmujë. Nuk do të themi që është mirë – është një rrëmujë,” tha Oscar Luis Osorio, një shitës 54-vjeçar që kishte ardhur i veshur si luan.
“Por duhet të presim”, shtoi Osorio, duke vënë në dukje se Milei nuk kishte përfunduar ende gjysmën e mandatit të tij katërvjeçar.
Emanuel Lacuadra, një 27-vjeçar që punon me orar të shkurtuar dhe është student, nuk e mori seriozisht skandalin Espert.
“E mbështes qeverinë pothuajse pa kushte. Ka shumë nga opozita që do të bëjnë gjithçka për ta rrëzuar, por nga ana ime, do ta mbështes gjithmonë”, tha Lacuadra, duke e cilësuar presidencën e Mileit si “një moment historik dhe unik – jo vetëm për Argjentinën, por për botën”.
Analistët japin një pamje shumë më pak optimiste për situatën e Mileit, ndërsa ai afrohet drejt fillimit të vitit të tretë në pushtet.
“Do ta përshkruaja si një president në falimentim ekonomik, politik dhe shoqëror”, tha Paola Zuban, një shkencëtare politike dhe drejtoreshë e firmës së sondazheve Zuban Córdoba.
Zuban kujtoi se Milei erdhi në pushtet në vitin 2023 duke premtuar jo vetëm një revolucion ekonomik, por edhe një revolucion moral, me zotimet e tij për të luftuar elitën mashtruese që ai e quante “la casta” (kasta). Ky mesazh është dëmtuar rëndë nga skandalet e fundit, që përfshijnë aleatët e tij më të afërt.
“Me këto skandale korrupsioni, lidhja morale është thyer. Pritshmëritë janë ulur, besimi është gërryer, dhe kjo është ajo që ka shkaktuar këtë krizë të madhe që po përjeton qeveria – një krizë nga e cila mendoj se ka pak gjasa të rikuperohet”, tha Zuban.
Facundo Nejamkis, drejtor i firmës konsulente Opina Argentina, përshkroi “një disonancë në rritje mes mënyrës se si qeveria paraqitet dhe realitetit që njerëzit përjetojnë” “Qeveria foli për një ‘mrekulli’ që asnjë argjentinas nuk e sheh në jetën e përditshme”, shtoi ai.
Nejamkis e pa koncertin e së hënës si një përpjekje për të ringjallur lëvizjen në rënie të Mileit. Por jashtë kamerave, edhe mbështetësit më të zjarrtë të tij pyesnin nëse ishte një lëvizje e mençur, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po përballet qeveria.
“Duket, të paktën, e pavend në këtë kohë”, tha një aktivist pro-Milei, i njohur, që kërkoi të mbetej anonim.
