Hong Kongu shënon ditën e katërt jashtëzakonisht të nxehtë në tetor, rekord historik që nga viti 1884

Hong Kongu ka regjistruar sot ditën e katërt radhazi jashtëzakonisht të nxehtë për muajin tetor, duke vendosur një rekord të ri historik, njoftoi Observatori i Hong Kongut.

Temperatura arriti në 33.1 gradë Celsius, duke tejkaluar çdo matje të mëparshme për këtë periudhë të vitit.

Sipas agjencisë meteorologjike, tetori i këtij viti ka shënuar numrin më të madh të ditëve jashtëzakonisht të nxehta që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1884.

Deri më tani, rekordi mbahej nga tetori i vitit 2023, kur u regjistruan tre ditë të tilla.

Në Hong Kong, një ditë konsiderohet “jashtëzakonisht e nxehtë” kur temperatura arrin ose tejkalon 33 gradë Celsius.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë apel për kujdes të shtuar, duke paralajmëruar qytetarët të marrin masa mbrojtëse kundër sëmundjeve që lidhen me nxehtësinë.

Paralajmërimi për nxehtësi ekstreme ka qëndruar në fuqi për më shumë se 11 orë.

Vetëm muajin e kaluar, shtatori shënoi 15 ditë jashtëzakonisht të nxehta, një tjetër shenjë e pazakontë e motit për rajonin subtropikal.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po çojnë në rritje të shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të nxehtësisë në mbarë botën.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, viti 2024 u regjistrua si viti më i ngrohtë në historinë e matjeve globale të temperaturës.