Doganat sekuestrojnë mallra të dyshuara si falsifikime të markave të njohura

Administrata Doganore ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit një sërë kontrollesh të intensifikuara në disa nga degët doganore të vendit, me qëllim luftën kundër tregtimit të mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash, të dyshuara si falsifikime të markave të njohura ndërkombëtare.

Sipas njoftimit nga dogana, artikujt e sekuestruar përfshijnë rreth 1,500 bluza sportive të markave të mbrojtura; mbi 900 artikuj dhe komplete veshjesh sportive të markave si Nike, Adidas, Zara, Massimo Dutti, etj si dhe sasi të konsiderueshme parfumesh të markave luksoze si Dior, Gucci, Armani dhe të tjera.

Të gjitha mallrat janë bllokuar dhe magazinuar, ndërkohë që vijojnë verifikimet për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale (IPR).

Administrata Doganore thekson se lufta kundër falsifikimit dhe kontrabandës është një nga prioritetet kryesore të saj, në funksion të: Mbrojtjes së bizneseve të ndershme; garancisë për një treg konkurrues dhe transparent dhe sigurisë së konsumatorëve.

Doganat deklaruan se vijojnë përpjekjet për të garantuar tregti të ndershme dhe për të penguar hyrjen në treg të mallrave që cenojnë të drejtat e markave të mbrojtura.

Ky aksion vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë të Administratës Doganore për forcimin e kontrollit kufitar, në përputhje me standardet evropiane dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale.