Nga shqyrtimi për shkarkimin e Peleshit te ligji i mbetjeve/ Mblidhen Këshilli i Legjislacionit dhe 6 komisione

Dita e sotme është një ditë e ngjeshur për politikën ku do të mblidhen 6 komisione parlamentare dhe Këshilli i Legjislacionit.

Këshilli i Legjislacionit do të konstituohet në orën 11:00 dhe sipas rendit të ditës pritet të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në orën 11:00 në Komisionin për Edukimin dhe Shkencën do të zhvillohet seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor 2025-2026, në sistemin e arsimit parauniversitar.

Në orën 11:30, në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme do të shqyrtohen dy projektligje: ai për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I-Shqipëri” dhe projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Në orën 11:30 në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të zhvillohet mbledhje e përbashkët me Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Në këto komisione do të prezantohet raporti veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën do të bëhet diskutimi i projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që për këtë projektligj është komision për dhënie mendimi. 

Në orën 13:00 Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm do të zhvillojë mbledhje të përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. AKEP-i do të raportojë veprimtarinë vjetore për vitin 2024.