Gati kandidatët/ Hasimja, Binaj, Haçkaj dhe Haxhimali kërkojnë mbështetjen e PD-së për Tiranën

Afati i opozitës për kandidatët e pavarur po shkon drejt fundit dhe emrat e parë tashmë janë në garë për Bashkinë e Tiranës. Në mesin e tyre janë politologu Ermal Hasimja, aktori Florian Binaj dhe eksperti Agron Haxhimali që kërkojnë mbështetjen e opozitës. Partia Demokratike dhe aleatët pritet të vendosin brenda mesjavës se cilin prej tyre do të përkrahin në zgjedhjet e 9 nëntorit.

Kandidatët që kërkojnë mbështetjen e opozitës, por që do të garojnë si të pavarur në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, janë tashmë në tryezën e Sali Berishës, i cili u dha 48 orë afat për të shprehur interesin e tyre.

Në rrjetet sociale dhe media, disa prej tyre e pranuan publikisht sfidën. Politologu Ermal Hasimja, ish-këshilltar i Berishës gjatë qeverisjes së tij dhe aktualisht analist në disa televizione, ka konfirmuar gatishmërinë për të hyrë në garë përballë Ogerta Manastirliut të PS-së dhe Arlind Qorit të Lëvizjes Bashkë.

Një tjetër emër i njohur është aktori Florian Binaj, i cili njoftoi në Facebook vendimin për të kandiduar, duke thënë se synon “të përfaqësojë qytetarët përtej ndasive politike, me ndershmëri dhe barazi për të gjithë”. Binaj njihet si aktivist i shoqërisë civile dhe si figurë e dashur e ekranit.

Ndërkohë, Florian Haçkaj, nipi i Halim Kosovës dhe përfaqësues i nismës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ka shprehur gjithashtu interes për garën, duke theksuar rolin e diasporës dhe të rinjve në politikë.

Në listë është edhe Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor dhe drejtor i Institutit për Demokraci Vendore, i cili për herë të parë kërkon të kalojë nga analiza në drejtim.

Opozita pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda mesjavës, për të vendosur se cilin prej kandidatëve të pavarur do të mbështesë zyrtarisht në garën e 9 nëntorit për kryebashkiakun e Tiranës.