EMRAT/ Sherri në gjimnazin e Kamzës, Policia identifikon dhe arreston dy autorët

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona që sollën ngjarjen e rëndë në një shkollë të Kamzës. Burime nga policia bëjnë me dije se bëhet fjalë për nxënësit A. Lika dhe B. Tota, të cilët sipas dinamikës së ngjarjes fillimisht u arrestuan në ambientet para shkollës dhe më pas u zhvendosen në një rrugicë aty afër, ku u përleshën fizikisht dhe përdorën thika.

Nga kjo përleshje mbetën të plagosur tre 16-vjeçarë, nxënës të shkollës ‘Ibrahim Rrugova’. Identifikimi i dy personave të ndaluar, është kryer nga kamerat e sigurisë dhe nga dëshmia e të miturve.

Ngjarja ndodhi të enjten pas mesdite, kur jashtë gjimnazit shpërtheu një sherr mes nxënësish, i cili përfundoi me përdorimin e thikës.

Njoftimi i policisë:  

Tiranë/Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.

Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.

Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve. 

Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.

Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.

Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.