Lamallari: Politikë kombëtare e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj zhvilluan sot një takim ku u diskutua për Reformën e Sistemit të Menaxhimit të Integruar të Tokës.

Lammallari bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se, me mbështetjen e Bashkimit Evropian po përgatitet një politikë kombëtare e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës.

Ministri theksoi se kjo nuk është thjesht përmbushja e një detyrimi formal në avancimin e procesit integrues, por mbi të gjitha për të adresuar të gjitha sfidat që lidhen me çështjet e pronësisë, bujqësisë, zonave të mbrojtura dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Lamallari u shpreh besimplotë se në finale të kësaj pune që tashmë ka nisur, Shqipëria do të ketë një dokument solid, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga Brukseli për menaxhimin e tokës si aseti ynë kryesor dhe pikënisja e çdo plani zhvillimor që na duhet për këtë fazë të re ku ka hyrë vendi, por edhe për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.