Arteta, për kontratën e Saliba-s: E ka merituar plotësisht

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, doli sot para medieve në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Olympiacos-it, që do të zhvillohet të mërkurën, në “Emirates Stadium”.

Arteta tha se nuk ka surpriza sa i përket gjendjes së lojtarëve: Piero Hincapie dhe Noni Madueke mbeten të padisponueshëm.

Ai komentoi edhe rinovimin pesëvjeçar të William Saliba-s, duke e cilësuar si “plotësisht të merituar” dhe shtoi se është i lumtur që “boshti i skuadrës mbetet te ne”.

Disa lojtarë të tjerë kanë zgjedhur të zgjatin qëndrimin te Arsenali. “Ata ndihen se i përkasin këtij klubi, ndihen të lidhur me të dhe ndajnë të njëjtën ambicie.

Ndihen të vlerësuar këtu dhe duan ta vazhdojnë karrierën këtu, gjë që është fantastike”, u shpreh Arteta.

Ai theksoi se kjo tregon fuqinë e klubit: “Edhe kur kanë mundësi të shkojnë diku tjetër, ata duan të qëndrojnë këtu.”

Duke u pyetur për pritshmëritë në Ligën e Kampionëve pas arritjes në gjysmëfinale sezonin e kaluar, Arteta tha:

“Ambicia është e njëjtë, të ecim ndeshje pas ndeshjeje dhe të përpiqemi të jemi më të mirë se kundërshtari, gjë që është shumë e vështirë në këtë kompeticion.

Duam të fitojmë sa më shumë ndeshje.

Ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë dhe e dimë sa e rëndësishme është forma në shtëpi për të arritur aty ku duam.”