Champions/ Mbappe shënon tripletë në fitoren me 5 gola të Realit në Kazakistan, Atalanta përmbys Brugge
Liga e Kampionëve ka nisur javën e saj të dytë, teksa katër ekipe zbritën në fushë në orën 18:45 këtë të martë.
Reali bëri një udhëtim të gjatë deri në Azinë e largët për të luajtur kundër debutuesve të Kairat Almaty.
Edhe pse udhëtimi zgjati shumë orë, lodhja nuk u duk aspak te të besuarit e Alonsos, me yllin Mbappe që vijon të shkëlqejë këtë fillim sezoni.
Sulmuesi francez realizoi një tripletë në fitoren 0-5 të “Los Blancos”, teksa dy golat e tjerë u shënuan nga Camavinga dhe Brahim Diaz.
Sa i përket Mbappes, ai ka shkuar në kuotën e 14 golave me Realin në 9 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Sfida tjetër ishte ajo e Bergamos, ku Atalanta priti belgët e Club Brugge për hakmarrje pas eliminimit nga Championsi një vit më parë.
Miqtë e nisën më mirë takimin, duke kaluar në avantazh në minutën e 38’ me anë të Tzolis.
Barazimi erdhi në minutën e 74’, kur Samardzic ktheu në gol një penallti, ndërsa ishte Pasalic i cili në minutën e 87’ shënoi golin e përmbysjes dhe të tre pikëve të para për bergamaskët.
