Sportingu i Lisbonës, i bllokuar në aeroport nga difekti në avion, nisja për Napoli ende e pasigurt

Sportingu ka përjetuar një aventurë të pazakontë në prag të sfidës së Champions League ndaj Napolit.

Skuadra portugeze ende nuk e di se kur do të mbërrijë në Itali, pasi udhëtimi i tyre është penguar nga një problem teknik në avionin që duhej t’i transportonte nga Lisbona drejt Napolit.

Skuadra e trajnerit Rui Borges ishte gati për t’u nisur me fluturimin e planifikuar rreth orës 14:30, por procedura e imbarkimit u pezullua për shkak të një defekti teknik në aeroplan.

Kjo ka shkaktuar më shumë se tri orë vonesë, duke prishur gjithë planin logjistik të klubit, përfshirë edhe konferencën për shtyp të planifikuar në prag të ndeshjes.

Sportingu pritej të mbërrinte në Napoli rreth orës 18:00, por për shkak të situatës së re, trajneri Borges nuk do të zhvillojë daljen e zakonshme para medieve.

Sipas raportimeve të shtypit portugez, ekziston edhe mundësia që skuadra të udhëtojë vetëm të mërkurën në mëngjes, ditën e vetë ndeshjes në “Diego Armando Maradona”.

Kompania ajrore përgjegjëse për fluturimin po punon që ta zhvendosë ekipin në një avion tjetër, në mënyrë që udhëtimi të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Për momentin, Sportingu duhet të presë një zgjidhje, ndërsa përgatitjet për sfidën e madhe janë tashmë të kushtëzuara nga ky problem i papritur.