Klopp, për shkarkimin e Marco Rose: Nuk është diçka që e dua, por bota është kështu

Jürgen Klopp, i cili aktualisht mban postin e përgjegjësit për futbollin botëror te Red Bull, është rikthyer të flasë hapur për vendimin e vështirë që çoi në shkarkimin e Marco Rose nga posti i trajnerit të Leipzig-ut.

Rose, që dikur shihej si njeriu i duhur për të forcuar pozitën e klubit mes elitës europiane, u largua në muajin mars gjatë sezonit të tij të tretë në ‘Red Bull Arena’.

Në total, ai drejtoi 125 ndeshje, duke arritur 72 fitore, fitoi dy trofe të rëndësishëm (DFB-Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë) dhe arriti dy herë kualifikimin në Champions League.

Megjithatë, një seri negative me vetëm tri fitore në 11 ndeshjet e fundit në të gjitha garat çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në një intervistë për ‘The Athletic’, Klopp u shpreh se vendimi për të larguar Rose nuk ishte aspak i lehtë:

“Nuk është diçka e këndshme. Nuk do të bëhet kurrë hobi im.

Por janë gjëra që duhet t’i bësh. Unë dua të punësoj trajnerë për arsyet e duhura. E po ashtu, kur vjen momenti të ndahesh, kjo duhet të ndodhë për arsyet e duhura, jo sepse e kërkojnë mediet.”

Ish-trajneri i Liverpool-it theksoi gjithashtu se dëshiron të ndërtojë stabilitet, megjithatë pranoi se futbolli modern shpesh nuk e lejon këtë:

“Unë dua të sjell stabilitet, të jap më shumë besim për të kaluar momentet e vështira.

Por bota sot funksionon ndryshe: ‘Oh Zot, je i mrekullueshëm!’, dhe menjëherë pas pak: ‘Jo, je i tmerrshëm!’. Nuk ka më një zonë gri. Shumë shpesh, jeta është gri.”