Ndërprerje luftimesh dhe dorëzim i pengjeve/ Plani për paqen në Gaza mirëpritet nga udhëheqësit në Lindjen e Mesme dhe Evropë

Një plan i ri paqeje i propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për paqen në Gaza është mirëpritur nga udhëheqësit e Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa SHBA u ka bërë thirrje Hamasit dhe Izraelit ta pranojnë atë.

Plani parashikon ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi dhe kthimin e mbetjeve mortore, në këmbim të lirimit të qindra të ndaluarve palestinezë.

Brenda 72 orësh nga pranimi, Hamasi duhet të lirojë 20 pengje izraelite të gjallë dhe mbetjet e më shumë se 24 pengjeve që besohet se kanë ndërruar jetë.

Në planin 20-pikësh të prezantuar nga Shtëpia e Bardhë theksohet gjithashtu se Hamasi nuk do të ketë më rol në qeverisjen e Gazës, ndërsa hapet rruga për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez. Gaza do të qeveriset përkohësisht nga një komitet teknokratik palestinez, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar – Bordi i Paqes, që do të udhëhiqet nga vetë Presidenti Trump. Ish-kryeministri britanik Tony Blair do të jetë gjithashtu pjesë e këtij bordi.

Nëse Hamasi nuk pranon marrëveshjen, Trump ka deklaruar se SHBA do të mbështesë Izraelin për të “përfunduar punën” ndaj grupit militant. Netanyahu konfirmoi gatishmërinë për të vepruar ushtarakisht nëse plani refuzohet ose nuk zbatohet.

Autoriteti Palestinez e quajti nismën e SHBA-së “të sinqertë dhe të vendosur” dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me SHBA-në dhe partnerët rajonalë për të përfunduar luftën dhe për të siguruar ndihmën humanitare në Gaza.

Ndërkohë, një deklaratë e përbashkët nga vendet kryesore arabe dhe myslimane – përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Turqinë dhe të tjera – e përshëndeti udhëheqjen e Trump dhe kërkoi që marrëveshja të çojë në një zgjidhje me dy shtete, me Gazën të integruar plotësisht me Bregun Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte “i inkurajuar” nga reagimi i Izraelit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi për një paqe të qëndrueshme.