Presidenti Begaj: Multilateralizmi, një garanci për paqen dhe stabilitetin global
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në takimin e Nivelit të Lartë mbi multilateralizmin dhe sfidat në rrugën drejt paqes, të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare Nizami Ganjavi në ambientet e “Harvard Club”.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e multilateralizmit si një mekanizëm kyç për ruajtjen e paqes, nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përballimin e krizave globale.
Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se për vende të vogla si Shqipëria, multilateralizmi është një garanci për siguri, zhvillim dhe përfaqësim të barabartë në arenën ndërkombëtare.
“Sot në Harvard Club mora pjesë në takimin e Nivelit të Lartë mbi multilateralizmin dhe sfidat në rrugën drejt paqes, i organizuar nga Qendra Ndërkombëtare Nizami Ganjavi. Gjatë takimit, theksova rëndësinë e multilateralizmit si rrugë drejt paqes dhe bashkëpunimit. Në një kohë sfiduese për rendin global, mbështetja ndaj institucioneve ndërkombëtare mbetet thelbësore për parandalimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit. Për vende të vogla si Shqipëria, multilateralizmi është garanci për sigurinë dhe përfaqësimin në arenën ndërkombëtare”, shkruan ai.
