Shkarkimi i Erion Veliajt/ Rama firmos të enjten në orën 12:00

Prefekti i Tiranës Afrim Qëndro i ka çuar letër Këshillit të Ministrave, ku ia përcjell vendimmarrjen e Këshillit bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt.

Tanimë burimet bëjnë me dije se shkarkimi i Veliajt do të vendoset përfundimisht nesër në mbledhjen e qeverisë.

Mbledhja e nesërme sipas burimeve është caktuar në orën 12:00 ku pritet firmosja nga Kryeministri Edi Rama për shkarkimin e Veliajt.

Veliaj ende nuk ka bërë një reagim pas vendimit të djeshëm as personal dhe as nëpërmjet avokatëve të tij.

Kujtojmë se një ditë më parë, me votë unanime, këshilltarët e mazhorances dhe opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pro shkarkimit të Erion Veliajt nga drejtimi i bashkise se Tiranës.

Mbledhja e së martës u parapri nga një letërkëmbim mes Këshillit Bashkiak dhe Veliajt, pasi kryebashkiaku i burgosur kërkoi që t’i jepej e drejta të fliste në mbledhje dhe kontestoi procedurat e ndjekura nga këshilli si antiligjore.

Edhe disa këshilltarë të opozitës e cilësuan të drejtë ligjore mbrojtjen e tij para këshillit, por kërkesa e Veliajt u hoq poshtë nga ish-bashkëpunëtorët e tij.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhej në mandatin e tretë të tij kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.