Spiropali në Nju Jork, takim me presidentin austriak: Miqësinë e pakushtëzuar mes vendeve tona

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet Nju-Jork (SHBA), ku po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, Spiropali pati një takim me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen dhe ministren e Punëve të Jashtme austriake Beate Meinl-Reisinger.

Në takim u diskutua për miqësinë e pakushtëzuar mes vendeve tona dhe mbështetjen e fortë që Austria vijon t’i japë integrimit të shpejtë të Shqipërisë në zemër të Europës, bëri të ditur Spiropali.

Spiropali më herët mori pjesë edhe në takimin e Nivelit të Lartë, të thirrur nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri kanadez, Mark Carney për kthimin e fëmijëve të deportuar të Ukrainës në shtëpi.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme është e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm në Asamblenë e OKB me mesazhin “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut”.

Me ftesë të presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Annalena Baerbock, Spiropali do të marrë pjesë edhe në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB.

Spiropali gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe e bilaterale, ku në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut.