NJU JORK – Presidenti Abass bën thirrje për paqe në Lindjen e Mesme

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas kërkoi mbrëmë një fillim të ri të përpjekjeve për të arritur paqe në Lindjen e Mesme.

Abbas tha se “agimi i lirisë dhe i paqes po afron”, duke e përshëndetur “nisjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme” gjatë një fjalimi me video në një konferencë mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, e mbajtur në Nju Jork në prag të Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai i bëri thirrje Izraelit të “ulet menjëherë në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund kësaj gjakddrdhjeje në Rripin e Gazës dhe për të sjellë një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”.

Organizata militante palestineze Hamas “nuk do të ketë rol në qeverisje”, theksoi Abbas. “Hamas dhe fraksionet e tjera duhet të dorëzojnë armët te Autoriteti Palestinez”.

Abbas falënderoi Francën, Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe vende të tjera perëndimore që sapo kanë njohur shtetin palestinez.

Ai nuk ishte në gjendje të merrte pjesë personalisht në konferencë dhe nuk do të jetë as në Asamblenë e Përgjithshme, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara tërhoqi vizat për delegacionin palestinez, duke argumentuar se Autoriteti Palestinez nuk ishte distancuar mjaftueshëm nga terrorizmi.

Sipas një traktati me OKB-në, SHBA-të janë të detyruara, si rregull, të lëshojnë viza për të gjithë përfaqësuesit që kërkojnë të udhëtojnë drejt selisë së OKB-së në Nju Jork.

Takimi i djeshëm, i thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite, kishte si synim t’i jepte një vrull të ri zgjidhjes me dy shtete, që parashikon ekzistencën e Izraelit dhe një shteti palestinez të pavarur e demokratik, duke jetuar krah për krah në paqe.

Konferenca synon të rrisë presionin mbi Izraelin që të përfshihet në negociata.