Wadephul: Duhet nisur tani procesi për zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka bërë thirrje që të nisë menjëherë procesi për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme, ndërsa kritikoi ofensivën izraelite në qytetin e Gazës si “plotësisht të gabuar”.

“Për Gjermaninë, njohja e një shteti palestinez ka më shumë gjasa të vijë në fund të procesit”, tha Wadephul  para nisjes për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. “Por ky proces duhet të fillojë tani”.

Në prag të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Wadephul pritet të marrë pjesë sot pasdite në një konferencë të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, e cila synon të forcojë mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, që parashikon Izraelin dhe një shtet palestinez të pavarur e demokratik, duke jetuar paqësisht krah për krah.

Qeveria gjermane ka kohë që e mbështet këtë alternativë, të cilën e kundërshtojnë si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ashtu edhe organizata militante palestineze Hamas.

“Ajo që i duhet rajonit tani është një armëpushim i menjëhershëm, shumë më tepër ndihmë humanitare për popullin në Gaza dhe lirimi i menjëhershëm e pa kushte i pengjeve”, tha Wadephul.

“Ofensiva izraelite në Qytetin e Gazës është qasje krejtësisht e gabuar.Çdo hap drejt aneksimit të territoreve të pushtuara, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, minon mundësinë e një zgjidhjeje afatgjatë të konfliktit”, theksoi Wadephul.

“Sado e largët që mund të duket për momentin, një zgjidhje e negociuar me dy shtete është mënyra për t’u mundësuar izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet”, përfundoi  ai.

Disa vende pritet të shpallin zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez gjatë konferencës sot në Nju Jork.