Maduro i shkruan Trumpit: Venezuela s’ka lidhje me trafikun e drogës
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka mohuar akuzat se vendi i tij është i përfshirë në trafikun e drogës, në një letër drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, e cila u bë sot publike .
Në letër, Maduro tha se marrëdhëniet mes Karakasit dhe Uashingtonit janë errësuar nga “fake news”, të cilat sipas tij “synojnë të justifikojnë një përshkallëzim drejt konfliktit të armatosur që do të sillte pasoja katastrofike për gjithë kontinentin”.
Letra, e datës 6 shtator, u publikua në Facebook nga nënpresidentja Delcy Rodríguez, e cila sqaroi se ajo ishte dorëzuar një ndërmjetësi në Amerikën e Jugut për t’ia dorëzuar presidentit Trump. Pjesë të saj ishin raportuar më herët.
Maduro tha se mbetet i hapur për një “bisedë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë” me të dërguarin special amerikan Richard Grenell “për të kapërcyer zhurmën mediatike dhe lajmet e rreme”.
“President, shpresoj që së bashku të mund të mposhtim të pavërtetat që kanë njollosur marrëdhënien tonë, e cila duhet të jetë historike dhe paqësore”, shkruan më tej ai.
Udhëheqësi venezuelas gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftërave dhe kërkoi dialog për të garantuar paqen në kontinentin amerikan.
Letra vjen mes tensioneve të rritura pas operacioneve ushtarake të SHBA-së në Karaibe dhe akuzave të Uashingtonit se Venezuela po eksporton drogë dhe dhunë drejt Shteteve të Bashkuara.
Në gusht, qeveria amerikane rriti shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e Maduros deri në 50 milionë dollarë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së thotë se Maduro është i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas presidentit venezuelas, “të dhëna të forta” mbi prodhimin dhe trafikun e drogës në Amerikën e Jugut tregojnë se “Venezuela është një territor i lirë nga prodhimi i drogës dhe një vend pa rëndësi në fushën e narkotikëve”.

