Palestina fiton zemrën e Anglisë, Kamberi: Njohja, me rëndësi të madhe diplomatike, por s’e zgjidh konfliktin me Izraelin
Portugalia e shpalli njohjen e Palestinës së bashku me Britaninë, Kanadanë dhe Australinë, duke u bërë kështu ndër rreth 150 vendet e botës që njohin krijimin e shtetit të Palestinës, nj proces që nisi nga Jaser Arafat në vitet ’80-të.
Geron Kamberi, eksperti i çështjeve ndërkombëtare në studion e “Ora Neës” u shpreh vendimi për të njohur shtetin e Palestinës në këtë moment të konfliktit merr rëndësi të madhe diplomatike, por nga ana praktike nuk e zgjidh konfliktin gati një shekullor Izrael – Palestinë.
“Mos të harrojmë se çështja palestineze ka prodhuar në Kombet e Bashkuara mbi 80 rezoluta. Besoj se mund të jetë vendi që ka më shumë rezoluta se çdo komb tjetër, pasi aty vazhdon të jetë aktiv një konflikt që daton nga 15 maji i vitit 1948.
Pra, është një konflikt që po i afrohet shekullit dhe njohja e Anglisë, Kanadasë dhe Australisë, veçanërisht e Anglisë dhe besoj se sot do të ketë dhe një njohje të Francës është një zhvillim i rëndësishëm nga pikëpamja diplomatike, pasi vende me peshë në arenën ndërkombëtare ndërmarrin këtë hap të cilin nuk e kanë ndërmarrë deri tani.
Dhe atij numri të madh të vendeve që e kanë njohur Palestinën deri tani, i shtohen vende me peshë në politikën ndërkombëtare.
Pra nga pikëpamja diplomatike ky akt nka një vlerë, por nga ana praktike nuk besoj se do të sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm, pasi historia e këtij konflikti ka treguar se aty ka pasur zgjidhje kur janë bashkë elementët kryesorë: SHBA, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara dhe në momentin kur këtij katërkëndëshi i mungon njëra prej këmbëve, atëherë kemi një figurë gjeometrike të papërcaktuar.
Ndërkaq duhet pritur për të parë se si do të jetë reagimi i Izraelit”, u shpreh ndër të tjera Geron Kamberi, ekspert i çështjeve ndërkombëtare
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GERON KAMBERIN, EKSPERT I ÇËSHTJEVE NDËRKOMBËTARE

