Dukesha e Jorkut e quajti Epsteinin "mik suprem" në një email, dhe pas dënimit për krime seksuale
Dy gazeta britanike kanë publikuar një email që thuhet se është dërguar nga Dukesha e Jorkut, Sarah Ferguson, për pedofilin Jeffrey Epstein, në të cilin ajo e quan atë një “mik suprem” – pavarësisht dënimit të tij për vepra seksuale. The Sun dhe Mail on Sunday raportuan se emaili, i vitit 2011, ishte dërguar disa javë, pasi dukesha ishte distancuar publikisht nga financieri i turpëruar.
Një zëdhënës i dukeshës – ish-bashkëshortes së Princit Andreu, Duka i Jorkut – tha se emaili ishte dërguar për të zbutur një kërcënim, që Epstein kishte bërë, për ta paditur atë për shpifje. Në një intervistë në vitin 2011, dukesha kishte thënë se përfshirja e emrit të saj me Epstein kishte qenë një “gabim gjigant”. Ajo kishte premtuar gjithashtu se nuk do të kishte më kurrë asnjë lidhje me Epstein, duke thënë: “E urrej pedofilinë dhe çdo abuzim seksual ndaj fëmijëve.”
Ajo shtoi: “Nuk mund ta theksoj më fort se e di që ishte një gabim i tmerrshëm që pata raporte me Jeffrey Epstein. Ajo që ai bëri ishte e gabuar dhe për këtë u burgos me të drejtë”.Epstein ishte dënuar tre vite më parë për prostitucion me një të mitur.Por, sipas The Sun dhe Mail on Sunday, pak kohë pas asaj interviste, dukesha i kishte dërguar një email Epstein-it, duke i thënë se ajo nuk kishte përdorur fjalën “pedofili” në lidhje me të, raporton BBC.
Në email, ajo shkruante: “Siç e di, nuk e kam përdorur absolutisht fjalën ‘Pedofil’ për ty, por e kuptoj që është raportuar sikur e kam bërë.””E di që ndihesh jashtëzakonisht i zhgënjyer nga unë. Ti ke qenë gjithmonë një mik i palëkundur, bujar dhe suprem për mua dhe familjen time”.Një zëdhënës i dukeshës tha se emaili ishte dërguar, pasi Epstein e kishte kërcënuar me padi për shpifje – dhe ishte një përpjekje për ta bindur që të mos vepronte ligjërisht.
Ata shtuan: “Dukesha ka shprehur keqardhjen e saj për raportin me Epstein shumë vite më parë, dhe si gjithmonë, mendimet e saj të para janë me viktimat e tij”.”Ashtu si shumë të tjerë, edhe ajo u mashtrua nga gënjeshtrat e tij. Sapo u bë e vetëdijshme për natyrën e plotë të akuzave kundër tij, ajo jo vetëm që ndërpreu çdo kontakt, por edhe e dënoi publikisht – në një masë të tillë, sa ai më pas e kërcënoi me padi, pasi dukesha lidhi emrin e tij me pedofilinë”.Zëdhënësi shtoi se dukesha vazhdon të qëndrojë pas deklaratave të saj publike kundër Epstein-it: “Ajo nuk tërhiqet nga asgjë që ka thënë atëherë. Ky email ishte dërguar bazuar në këshilla ligjore, për të qetësuar Epstein-in dhe për të shmangur kërcënimet e tij”.
Jeffrey Epstein, një financier i lidhur ngushtë me njerëz të fuqishëm dhe i dënuar për krime seksuale, u gjet i vdekur në vitin 2019 në burg, ndërsa priste gjyqin për trafik seksual në New York. Ai ishte i njohur për shoqërinë e tij me të pasurit dhe të famshmit – përfshirë edhe presidentë të së kaluarës dhe të tashmes – dhe ishte akuzuar për trafikimin e një numri të madh vajzash dhe të rejash për shfrytëzim seksual.
Akuzat se ish-bashkëshorti i dukeshës, Princi Andreu, kishte abuzuar seksualisht me një grua që i ishte prezantuar nga Epstein – u zgjidhën jashtë gjykatës pa asnjë pranim faji dhe çuan në tërheqjen e princit nga detyrat publike dhe heqjen e të gjitha titujve ushtarakë.
Së fundmi, zbulimet për raportet e Epstein-it (pas dënimit të tij) me politikanin britanik Lord Mandelson çuan në shkarkimin e këtij të fundit si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA. Kjo valë e re informacioni rreth jetës dhe lidhjeve të financierit të turpëruar, vjen pas publikimit të një sërë dokumentesh nga një panel i Kongresit Amerikan, të cilat ishin sekuestruar nga hetuesit.
