Rama prezanton ministrin Lamallari: Morëm vendim historik, të mbajmë larg duart nga drejtësia
Pasi prezantoi ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala, Kryeministri Edi Rama vijoi në prezantimin e ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Pasi foli me nota të larta për figurën e Lamallarit, Rama theksoi se mazhoranca qeverisëse mori vendimin historik, atë “të mbajmë larg duart nga drejtësia”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka theksuar se duhet konsoliduar pavarësia e sistemit gjyqësor, si një nga kushtet themelore të integrimit në Bashkimin Europian.
Rama tha se drejtësia në vendin tonë është e pavarur dhe se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë duar larg saj.
Edi Rama: "Pushteti gjyqësor është një pusht i pavarur nga ekzekutivi në letër, dhe prej disa vitesh në realitet.
Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuari për gjithmonë, dhe jemi ne që duhet ta konsolidojmë në këtë fazë dhe të mbajmë duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve.
Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast, në përmbajtën e një çështje që është marrë drejtësia, dhe nuk do ta bëjmë sot dhe as nesër. Aq më tepër ku drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit.
Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ju, sepse ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare diferencën: a do të jetë Shqipëria me një drejtësi të pavarur si çdo vend i BE, të garantuar njëherë e mirë apo do të kthehet pas dhe të vërë në dyshim integrimin Europian. Kjo bëhet për të ardhmen tonë.
Sepse largimi i duarve i pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, seleksionim, përzgjedhje apo promovimi i prokurorëve dhe gjykatësve, është një garanci për të ardhmen e vendit tonë
Besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj Ministrie dhe në bashkëpunim me të gjithë, Besforti do t’ja dalë të çojë përpara një punë të nisur prej disa vitesh tashmë dhe të vazhduar nga ministri i deritanishëm Ulsi Manja.
Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformimi epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar. Kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar apo që pesha që ka në të gjithë proceset është zvogëluar. Jo, në të vërtetë edhe roli dhe pesha janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë. Mbi të gjitha detyrimi që ka Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të gjitha proceset vendimmarrëse, është detyrim shumë i madh.
Ndërkohë që siç e dini dhe ju, territori mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Është shumë e rëndësishme që në të gjithë të përditshmen tonë ne të mos e humbim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, që është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutiv në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur dhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë".

