KOMISIONET E REJA, TË HËNËN! Peleshi thërret Konferencën e Kryetarëve: Sillni emrat e anëtarëve

Të hënën pritet të kompletohen komisionet parlamentare, por procesi nuk do të jetë pa tensione. Partia Demokratike kundërshton ndryshimin e njëanshëm të rregullores dhe ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, Kuvendi ka nisur përgatitjet, me 11 komisione ku 7 do të drejtohen nga socialistët dhe 4 nga demokratët

Të hënën Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të vijojnë debatin e lënë në mes në seancën e së enjtes kur u votua qeveria e re.

Në faqen e Kuvendit është njoftuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve me rendin e vetëm të ditës, plotësimin e komisioneve parlamentare.

Por mbledhja nuk do të jetë kaq e thjeshtë.

Pavarësisht se Partia Demokratike ka zgjedhur 4 emrat që do të drejtojnë komisionet e tyre dhe 7 nënkryetarët në komisionet e drejtuar nga PS-ja, ata nuk janë votuar në seancën plenare pasi opozita kundërshton ndryshimin e njëanshëm të Rregullores së Parlamentit.

PD ka thënë se do të çojë vendimin për ndryshimin e rregullores në Gjykatën Kushtetuese ku do të kundërshtohet procedura e shpejtuar e votimit, ndaj përbërja e re e komisionit nuk do të jetë e plotë.

Ende nuk dihet cila do të jetë qasja e PD-së në Konferencën e Kryetarëve në lidhje me përbërjen e komisioneve dhe nëse opozita do të pranojë të çojë anëtarët e saj në mënyrë që ata të nisin punën, por informacionet e “Ora News” thonë që Kuvendi ka nisur me rregullimin e sallave të komisioneve të reja.

Përbërja e re ka ngritur 11 komisione 7 prej të cilave do të drejtohen nga socialistët dhe 4 nga demokratët.

Gjithsesi, pritet që në këtë takim Partia Demokratike dhe aleatët të paraqesin dhe kërkesat për anulimin e seancës së votimit të qeverisë por edhe mocionin ku kërkojnë shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.