Blushi: Akt i paprecedentë dhe sjellje kriminale, u votua për 5 minuta! Qeveri e aferave

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe kreu i këtij grupi parlamentar, Tedi Blushi, akuzoi mazhorancën për sjellje të paprecedentë dhe kriminale në sallën e Kuvendit, duke e mbyllur seancën plenare të votimit të programit të qeverisë dhe përbërjes së kabinetit qeveritar pa debat dhe brenda disa minutave.

Ai hodhi akuza të rënda edhe ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi, teksa vuri në dukje gjithashtu se ministrja e re virtuale Diella nuk ishte asgjë më shumë sesa bashkëshortja e kreut të qeverisë, Linda Rama.

“Ministrja e re që kryeministri prezantoi nuk është Diella, por Linda Rama. Nuk është as ministre, por vetëm autore e aferës me të madhe në vend, afera e AKSHI-t. Ky ishte një akt i paprecedentë ku u votua për 5 minuta”, tha Blushi mes të tjerash pasi doli nga Kuvendi.

Blushi foli gjithashtu edhe për aktin e Peleshit me planin për të mos lejuar mediat në seancat e Kuvendit.

“Dua ta denoncoj këtë veprim jo të ri të kryeparlamentarit me gazetarët, nuk është herë e parë, e paprecedentë në pengesën që ju bëri të bëni misionin e detyrën tuaj. Nuk ka asnjë surprizë. Është beteje jo vetëm për opozitën por edhe për të drejtat e qytetarve. Si gazetar shpreh solidaritet të plotë me ju. Shpreh solidaritetin me ju që ti bashkoheni”, tha deputeti i PL-së.