VIDEO/ Kukës - Fëmijët e Koloshit jashtë shkolle, prindërit protestojnë, paralajmërojnë largimin nga Shqipëria

Në fshatin Kolosh të njësisë Zapod në Kukës, vetëm 10 fëmijë kanë mbetur – por as këta nuk mund të ndjekin shkollën. Janë gati dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, dhe nxënësit ende nuk janë ulur në bankat e shkollës.

Shkolla më e afërt ndodhet rreth dy orë larg në këmbë, nëpër një rrugë të amortizuar, pa asfalt dhe të rrezikshme. Prindërit thonë se fëmijët detyrohen të kalojnë përmes zonave të thella pyjore, ku shpesh janë përballur me rrezikun e kafshëve të egra si ujq dhe arinj.

Mungesa e sigurisë, rruga e paaksesueshme dhe pamundësia për t’i shoqëruar fëmijët çdo ditë ka bërë që komuniteti të ngrihet në protestë. Prindërit kërkojnë me urgjencë transport të sigurt dhe të rregullt për fëmijët.

Zyra Vendore Arsimore Kukës, pas dështimit të tenderit për këtë vit, u ka propozuar prindërve një pagesë prej vetëm 120 lekësh në muaj për çdo fëmijë – por sipas tyre, asnjë operator privat nuk pranon të marrë përsipër një rrugë kaq të vështirë me këtë shumë.

"Çfarë mund të bëjmë me 120 lekë në muaj? Edhe një bukë s'e blen dot, jo më të çosh fëmijën në shkollë përmes maleve dhe ujqërve. Na thonë shkollë për të gjithë, por fëmijët tanë janë të përjashtuar!"

Prindërit i drejtohen me thirrje Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë. Ata paralajmërojnë se nëse situata nuk zgjidhet, nuk u mbetet rrugë tjetër veçse të largohen nga Shqipëria bashkë me familjet e tyre.

"Nëse shteti nuk siguron shkollë për fëmijët tanë, do t’i marrim dhe do të largohemi nga vendi. Nuk kemi pse t’i rrisim në errësirë dhe në padije!"

Situata në Kolosh nuk është e vetmja – probleme të ngjashme raportohen në shumë fshatra të tjerë të Kukësit, ku mungesa e infrastrukturës dhe e transportit po kthehen në pengesën kryesore për të drejtën e arsimimit.