Tregtia me pakicë shënon rritje, kërkesë e lartë për karburant

Tregtia me pakicë në vend ka shënuar rritje të ndjeshme në volum si rezultat i një kërkese më të lartë për produkte bazë, ushqime dhe pije, interes më i madh për mallra jo të domosdoshme, si dhe një përdorim më i lartë i hidrokarbureve.

Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë, i cili mat sasinë reale të mallrave të shitura pa u ndikuar nga ndryshimet në çmim, shënoi rritje prej 6,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përkatësisht tremujorin e dytë të vitit 2024.

Nëse e krahasojmë këtë tregues me tremujorin paraardhës të vitit 2025, ai rezulton të jetë rritur me 1,2%.

Kur përjashtohen hidrokarburet nga analiza, rezulton se volumi i shitjeve me pakicë është rritur me 4,9% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Kjo tregon se edhe pa ndihmën e sektorit të hidrokarbureve, tregtia me pakicë ka regjistruar rritje.

Ndërkohë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara, ka shënuar një rritje të fortë prej 10,1% në të njëjtën periudhë krahasuese vjetore, duke dëshmuar për një konsum të shtuar të karburanteve.

Në analizën e ndikimit të grupeve kryesore në këtë rritje vjetore prej 6,2% në volumin e shitjeve me pakicë, rezulton se grupi i artikujve jo-ushqimorë, të tregtuar si në njësi të specializuara ashtu edhe në ato jo të specializuara, ka dhënë kontributin më të madh me 2,2 pikë përqindje. Grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit ka kontribuar me 1,5 pikë përqindje.