“Diagnoza” e krizës në Kosovë/ Krasniqi: Është e qëllimshme dhe politike, jo juridike si në të kaluarën

Mbi 7 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit, Kosova mbetet pa qeverinë e re dhe mes një debati kushtetues nëse Kuvendi quhet i konstituuar apo jo pa zgjedhjen e nënkryetarit përfaqësues të pakicës serbe

Albert Krasniqi nga organizata Demokracia Plus vlerëson se Kosova po përballet me një krizë politike të qëllimshme dhe jo me një bllokadë juridike siç ka ndodhur në të kaluarën.

Në intervistë për Ekonomia Online, ai tha se mungesa e vullnetit për të krijuar shumicë parlamentare po e mban vendin në ngërç institucional.

Si vëzhgues i proceseve në Kosovë, Krasniqi vlerëson presioni dhe gjuha denigruese ndaj Gjykatës Kushtetuese po rrezikojnë funksionimin e rendit kushtetues në vend.

Si rrugëdalje nga kriza e shumëfishtë, ai thotë se zgjidhja do të ishin zgjedhjet e parakohshme.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar formimin e Qeverisë deri më 30 shtator 2025,  pas një kërkesë të deputetëve të listës Serbe lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri në detyrë I Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar vendimin politik.