SHBA pezullon dialogun me Kosovën/ Isufi: Marrëveshjet strategjike mbeten të rëndësishme
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, gazetari Venhar Isufi tha se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar dialogun me Kosovën, ndonëse marrëveshjet strategjike në fushën e sigurisë dhe ekonomisë vijojnë të mbeten në fuqi.
"Duhet të theksohet që para vitit 2021, Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje strategjike me SHBA-në.
Një gjë e tillë është arritur në vitin 2021, e iniciuar nga presidentja Osmani dhe duke vazhduar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Përmes kësaj lëvizën edhe disa gjëra pozitive sidomos në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin ekonomik, ku kemi marrëveshjen e cila para disa muajsh është rifirmosur përsëri përmes Ministrisë së Ekonomisë të SHBA-së, pra bëhet fjalë për marrëveshjen e MCC, e cila lidhet me aspektin energjitik të republikës së Kosovës.
E dimë që së fundmi edhe në fushën e sigurisë kemi një marrëveshje të akorduar me Departamentin e Shtetit sidomos me Departamentin e Mbrojtjes", u shpreh Isufi.
