Fjala e parë e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit: Përgjegjësi e madhe për të shërbyer në këtë moment historik, në rrugën drejt BE-së
Pas zgjedhjets me 84 vota si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, e ka cilësuar si nder dhe përgjegjësi marrjen e kësaj detyre në këtë moment historik për vendin.
Peleshi kërkoi nga të gjithë deputetët që të vendosen standarde të reja në këtë moment kyç të Shqipërisë, ku në Kuvend të respektohen standardet europiane, ato të respektimit të Kushtetutës dhe Kodit të Etikës.
“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqiëprisë, është nder dhe përgjegjësi e madhe, e pranoj me përgjegjësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij Kuvendi dhe qytetarëve. Jam ftuar nga kryeministri Edi Rama për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Angazhohem ta kthej këtë besim, në një shtysë për të punuar çdo ditë. Falenderoj zonjën Elisa Spiropali për detyrën e saj si kryetare e Kuvendit, i uroj suksese në detyrën shtetërore që pritet të marrë. Falenderoj të gjithë deputetët dhe i siguroj se do të bëj gjithçka për të krijuar hapësirën e nevojshme. Do të doja të vendosim një standard të ri për respektimin e Kushtetutës dhe Kodit të Etikës. Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final drejt BE-së, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të qytetarëve tanë”, u shpreh Peleshi.
Ndërkohë i gjithë fjalimi i tij u shoqërua me zhurmë, kakofoni dhe përplasje tavolinash dhe karrigesh nga ana e deputetëve të opozitës.
