Çakalli: Me 1000 agronomë e pamundur të kontrollohen mbi 350 mijë ferma

Alban Çakalli, fermer dhe aktivist, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai në Ora News, ka ngritur shqetësimin për pamundësinë reale të institucioneve shtetërore për të përballuar kontrollin dhe monitorimin e sektorit bujqësor në Shqipëri.

“Jemi mbi 350 mijë ferma në vend dhe me NIPT janë të regjistruar mbi 80 mijë fermerë.

Ndërkohë kemi vetëm 1000 agronomë të punësuar në shtet.

Është e papërballueshme ta kontrollojnë këtë situatë,” – tha Çakalli.

Sipas tij, mungesa e stafit teknik në terren e bën thuajse të pamundur kontrollin e produkteve bujqësore, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin e konsumatorit, por edhe besueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Çakalli theksoi se është urgjente shtimi i burimeve njerëzore, investimi në shërbimin agronomik dhe bashkëpunimi më i ngushtë me fermerët, në mënyrë që sistemi i sigurisë ushqimore të funksionojë në mënyrë efektive.