Kirurgjia laparoskopike me lazer dhe transplanti i mëlçisë/ Spitali Amerikan sjell ekspertizën ndërkombëtare në Shqipëri
Përdorimi i teknologjisë së lazerit për trajtimin e problemeve të rrugëve të tëmthit, si dhe zhvillimet më të fundit në kirurgjinë e mëlçisë dhe transplantit të saj, ishin në qendër të seminarit ndërkombëtar të organizuar nga Spitali Amerikan dhe Western Balkans University, i cili u mbajt në Hotel Mondial në Tiranë.
Ekspertë të njohur ndërkombëtarë, si Prof. Roberto Troisi nga Universiteti “Federico II” në Napoli dhe Dr. Alberto Martínez Isla nga St. Mark’s Hospital në Londër, prezantuan përparimet më të fundit në kirurgjinë komplekse të mëlçisë dhe rrugëve biliare, si dhe në transplantin e mëlçisë.
Një temë e veçantë ishte kirurgjia laparoskopike me lazer që mundëson thyerjen dhe heqjen e gurëve përmes lazerit.
Prof. Troisi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në trajtimin e sëmundjeve të ndërlikuara të mëlcisë:
''Jemi mbledhur këtu së bashku me specialistë të ndryshëm për të diskutuar mbi bashkëpunimet multidisiplinare, të njohura si tumor board.
Diskutimi i rasteve komplekse, si kanceri, mes specialistëve të fushave të ndryshme ndihmon që pacienti të marrë trajtimin më të përshtatshëm.
Kjo përmirëson cilësinë e kujdesit, rrit mundësinë e mbijetesës dhe përmirëson shëndetin afatgjatë të pacientëve shqiptarë''.
Nga ana tjetër, Dr. Isla foli për përparësitë e përdorimit të lazerit në kirurgjinë e rrugëve biliare.
''Përdorimi i lazerit në trajtimin e rrugëve biliare lejon heqjen e gurëve, madje edhe atyre më të mëdhenj, në mënyrë të sigurt dhe efikase.
Kjo lloj kirurgjie mund të kryhet në një shtrim të vetëm në spital. Pacienti i nënshtrohet heqjes së fshikëzës së tëmthit dhe trajtimit të rrugëve biliare, dhe mund të kthehet në shtëpi brenda të njëjtës ditë, pa rrezik.
Kjo është e mundur tashmë edhe në Spitalin Amerikan, ku pajisjet e nevojshme janë në dispozicion''.
Seminari u ndoq me interes të madh nga specialistë të fushave të ndryshme, duke treguar përkushtimin e tyre.
