Von der Leyen po shqyrton ndalimin e mediave sociale në BE për të miturit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën para Parlamentit Evropian se BE-ja po shqyrton kufizimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët, duke marrë si shembull politikën e Australisë.
Në Australi, adoleshentët nën 16 vjeç nuk lejohen të përdorin platforma si Snapchat, TikTok, Facebook, Instagram dhe X.
Von der Leyen tha se po ndjek nga afër zbatimin e këtij modeli dhe ka ngarkuar një panel ekspertësh që deri në fund të vitit të japë rekomandime për hapat e ardhshëm në Evropë.
“Ne do ta trajtojmë këtë me kujdes dhe do t’i dëgjojmë të gjithë. Do të udhëhiqemi nga nevoja për të fuqizuar prindërit dhe për të ndërtuar një Evropë më të sigurt për fëmijët tanë,” theksoi ajo.
Aktualisht, rregullat për përdorimin e mediave sociale nga të miturit ndryshojnë nga vendi në vend brenda BE-së.
Platformat kërkojnë që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç, por disa shtete kanë vendosur kufizime më të forta.
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se Franca do të ndalojë aksesin për fëmijët nën 15 vjeç nëse nuk miratohet një masë e përbashkët në nivel evropian.
Ndërkohë, Holanda dhe vende të tjera u kanë këshilluar prindërve të mos i lejojnë fëmijët nën 15 vjeç të përdorin rrjete sociale, për shkak të rreziqeve psikologjike dhe fizike.
Komisioni Evropian ka publikuar këtë vit udhëzime të reja në kuadër të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA) për të mbrojtur të miturit nga rreziqet online si ngacmimi, përmbajtja e dëmshme, varësia dhe praktikat e dëmshme tregtare.
Paralelisht, do të testohen aplikacione për verifikimin e moshës në bashkëpunim me pesë vende anëtare: Danimarkën, Francën, Greqinë, Italinë dhe Spanjën.
