Konferenca Ndërkombëtare për Qeverisjen, Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në BE: Udhëtimi është ai që kemi nevojë
Gjatë konferencës Ndërkombëtare për Qeverisje, me një panel diskutimi për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se vendi jonë ka bërë një hap shumë të madh në lidhje me digjitalizimin.
Rama shprehet se përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, po bëhet në kohë rekord përkthimi i kapitujve për anëtarësimin në BE. Po ashtu tha se teknologjia i ka ardhur në ndihmë vendit për krijimin e disa shërbimeve online që lehtësojnë jetën e qytetarëve.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te procesi i anëtarësimit në BE, teksa tha se për ne është po aq i rëndësishëm, edhe më i rëndësishëm se rezultati përfundimtar.
“Është kënaqësi të jem i pranishëm këtu dhe të kem mundësi të ndaj disa mendime në vend që të mbaj fjalim. Nga njëra anë kemi procesin e BE, që është përtej pjesës politike, por nga ana teknike është bekim sepse është i vetmi kanal ku mund të transferojmë njohuritë.
Udhëtimi është ai që kemi nevojë, nëse ne bëhemi një vend i cili vepron si një vend anëtar i BE, kjo do ishte trashëgimia më e madhe që mund t’i japim fëmijëve tanë, për t’u rritur në një shtet ku institucionet funksionojnë si në Itali apo një vend tjetër mesdhetar.
Si Shqipëria ka për të ndërtuar institucione nëse nuk e bën përmes këtij kanali, mes këtyre kritereve dhe standardeve që duken të çmendura, dhe në fakt janë, por në fund është një kurbë mësimi. Teknologjia e re mund të na japë shteteve si ne mundësinë që të bëjmë hapa që do ishin të pamundur. Nëse nuk do ishte e zbatueshme teknologjia, si do ishim ne në gjendje që të ofronim shërbime online? Ne kemi krijuar një model që funksionon për ne, përmes AI, dhe do ishte e pamundur pa teknologjinë”, tha Rama.
