Luis Suárez e pëson më keq, i shtohet dënimi nga gjashtë në nëntë ndeshje
Luis Suárez është sërish në qendër të polemikave.
Sulmuesi i Inter Miamit është dënuar nga Major League Soccer (MLS) me pezullim prej tri ndeshjesh, pas incidentit të ndodhur në finalen e Leagues Cup më 31 gusht, ku skuadra e tij u mund nga Seattle Sounders me rezultatin 3-0.
Pas përfundimit të takimit, tensionet në fushë shpërthyen në një përleshje mes lojtarëve dhe stafit.
Pamjet filmike treguan Suárezin teksa kapi për qafë mesfushorin e Seattle, Obed Vargas, dhe më pas u pa duke bërtitur e pështyrë në drejtim të një anëtari të stafit të Sounders.
Dënimi i MLS-së do ta mbajë larg fushës në ndeshjet kundër Charlotte FC, DC United dhe në përballjen e kthimit ndaj vetë Seattle Sounders.
Paralelisht, organizatorët e Leagues Cup i kanë dhënë sulmuesit uruguaian edhe një pezullim prej gjashtë ndeshjesh, i cili do të hyjë në fuqi në edicionin e ardhshëm të turneut.
Në një reagim në Instagram, Suárez kërkoi falje: “Ishte një moment shumë i tensionuar.
Gjërat ndodhën menjëherë pas ndeshjes, por kjo nuk e justifikon reagimin tim. Kam gabuar dhe e ndiej sinqerisht keqardhje”.
Edhe Inter Miami kërkoi ndjesë publike për incidentet pas finales, duke theksuar se ato “nuk pasqyrojnë vlerat e sportit”.
Ky nuk është rasti i parë i diskutueshëm në karrierën e 38-vjeçarit. Suárez ka vuajtur disa pezullime për sjellje të dhunshme, përfshirë tri raste të njohura të kafshimit të kundërshtarëve dhe një dënim tetë ndeshjesh për ofendime racore ndaj Patrice Evra në vitin 2011.
MLS ndërkohë ka revokuar akreditimin e një anëtari të stafit të Seattle, Steven Lenhart, për rolin e tij në incident, ndërsa klubi është gjobitur për “shkelje të rregullave të akreditimit”.
Ndërkohë, mesfushori i Miamit, Sergio Busquets, i cili u pa duke goditur Vargas-in gjatë përplasjes, i ka shpëtuar çdo ndëshkimi.
