Infantino përgëzon Iranin për kualifikimin: Futbolli bashkon botën
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka përgëzuar kombëtaren e Iranit për kualifikimin e hershëm në Kampionatin Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Shefi i futbollit botëror ndodhej në Tashkent të Uzbekistanit, ku ndoqi finalen e CAFA Nations Cup 2025, dhe pati rastin të takohej me lojtarët e përfaqësueses iraniane.
“Futbolli bashkon botën. Si president i FIFA-s, ju garantoj se jeni të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada”, u shpreh Infantino.
Në një mesazh në Instagram, ai theksoi rëndësinë e këtij suksesi për tifozët iranianë:
“Vizita ime në Tashkent më dha mundësinë të flas me kombëtaren e Iranit dhe t’i përgëzoj për kualifikimin. E di sa shumë e duan iranianët futbollin dhe ky arritje do t’i bëjë të gjithë krenarë”.
Infantino zbuloi gjithashtu një kujtim personal të lidhur me futbollin iranian:
“Një nga gjërat më të çmuara që kam është fanella e Iranit nga Botërori 1998. Ky është shembulli i asaj që bën futbolli: bashkon njerëzit dhe ngjall emocione që na afrojnë me njëri-tjetrin”.
Kreu i FIFA-s kujtoi gjithashtu atmosferën e veçantë të tifozëve iranianë në Katar 2022, sidomos gjatë ndeshjes së fazës së grupeve kundër Uellsit, duke shtuar se pret me padurim momente edhe më të paharrueshme në “festën më të madhe sportive” që do të mbahet vitin e ardhshëm.
