Ish-trajneri i Belgjikës zëvendëson Jose Mourinho-n në stolin e Fenerbahçes

Fenerbahçe ka zyrtarizuar trajnerin e ri pas shkarkimit të Jose Mourinho-s.

Klubi nga Stambolli njoftoi se Domenico Tedesco, ish-trajner i Belgjikës, ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe do të marrë drejtimin e skuadrës.

Italiano-gjermani 39-vjeçar do të ketë si ndihmës ish-kapitenin e klubit, Gökhan Gönül.

Tedesco u shkarkua nga posti i përzgjedhësit të Belgjikës në janar, pas një periudhe gati dyvjeçare.

Ai ka drejtuar më parë Schalke-n në Bundesliga, Spartak Moskvën në Rusi dhe RB Leipzigun, me të cilin fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2022.

Mourinho, i emëruar në Stamboll në verën e vitit 2024 mes pritshmërive të mëdha, nuk arriti të realizonte objektivin kryesor: kthimin e Fenerbahçes te titulli kampion i Turqisë, i munguar që nga viti 2014.

Portugezi u shkarkua më 29 gusht, pasi klubi u eliminua nga Benfica në “play-off”-et e Champions League, duke humbur mundësinë për të hyrë në fazën e grupeve.

Megjithëse e mbylli sezonin e kaluar në vendin e dytë, pas rivalëve të Galatasarayt, “Special One” nuk e përmbushi premtimin e tij për t’i dhënë fund thatësirës së gjatë të trofeve në Superligë.

Emërimi i Tedescos shihet si një hap drejt rinovimit dhe ambicies për të ndërtuar një projekt afatgjatë.

Me eksperiencën e tij në arenën evropiane dhe energjinë e moshës, ai synon ta rikthejë Fenerbahçen në majën e futbollit turk dhe në kompeticionet madhore ndërkombëtare.