Modric mbush 40 vjeç, Dalic: Sa më shumë plaket, aq më i mirë bëhet

Luka Modrić ka mbushur 40 vjeç, por në fushë vazhdon të shkëlqejë si një talent pa moshë.

Në prag të ditëlindjes së tij, mesfushori i Milanit udhëhoqi Kroacinë drejt një fitoreje të thellë 4-0 ndaj Malit të Zi në kualifikimet për Botërorin 2026.

N stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, publiku u ngrit në këmbë për ta duartrokitur gjatë momentit të zëvendësimit, nëntë minuta para fundit.

Me këtë sukses Kroacia ka arritur Çekinë në krye të grupit, madje me një ndeshje më pak.

Në një intervistë për ‘Sportmediaset’, Modrić foli me shumë vlerësim për Petar Sučić, shokun e repartit dhe talentin e ri të Interit:

“Është një lojtar i fortë dhe me shumë potencial, nuk është rastësi që ka firmosur me një klub të madh. Më pëlqen të luaj me të, edhe pse së shpejti do të përballemi në derbi”.

Fituesi i Topit të Artë nuk e fshehu krenarinë që brezi i tij “i papërsëritshëm” po lë pas të rinj të gatshëm për ta trashëguar.

Me 190 paraqitje për kombëtaren, Modrić mbetet simbol i Kroacisë. Trajneri Zlatko Dalić e përshkroi kështu:

“Sa më shumë plaket, aq më i mirë bëhet.

Ai e udhëheq skuadrën me një ambicie të rrallë dhe dëshiron të na çojë në Botërorin e Amerikës”.

Nëse regjistrat tregojnë kalimin e viteve, fusha tregon krejt tjetër gjë: Modrić vazhdon të jetë vendimtar, lider teknik dhe emocional i një skuadre që ëndërron madhështinë.

Një dhuratë ditëlindjeje e veçantë, jo vetëm për të, por edhe për një popull të tërë që ende beson në magjinë e tij.