Pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë, kapet në Tiranë 43-vjeçari

Një 43-vjeçar i dënuar në Itali për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafik droge është arrestuar në Tiranë.

Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale dhe u kodua “Operacionalja 66”. I arrestuari, Mersin Cenolli, ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Ai pritet të ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin prej 5 vitesh e 1 muaji burg.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 66”.

Kapet në Tiranë, një 43-vjeçar, i dënuar në Itali, me 5 vite e 1 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 66”. Gjatë këtij operacioni, u kap në Tiranë, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi:

Mersin Cenolli alias Ervis Cenolli, 43 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano, me vendimin e datës 06.05.2025, e ka dënuar me 5 vite e 1 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.