TRYEZA II/ Drafti i Kodit Penal, Manja: Ministria e Drejtësisë është porositësi jo hartuesi

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në tryezën e thirrur për diskutimin publik lidhur me Draftin e Kodit të Ri Penal ka qartësuar rolin e institucionit që ai drejton në këtë proces.

Manja është shprehur se Ministria e Drejtësisë është porositësi, por jo shkruesi i draftit. Hartuesi i draftit është drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi i asistuar dhe konsultuar nga ekspertë dhe Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Ministri u është përgjigjur edhe kritikave.

"Na jepni mundësinë që edhe një herë të informojmë opinionin publik që janë të intersuar të marrin pjesë në konsultimin publik të Drafitt të Kodit të Ri Penal. Nga korriku ka patur diskutime për aspekte të posaçme të draftit. Kemi mbajtur shënim të gjitha analizat që nga publikimi i draftit. Janë disa organizata të Shoqërisë Civile kanë paraqitur kërkesën për të maarrë pjsë në disa tematika të posaçme, për disa aspekte të tij.

Roli i Ministrisë së Drejtësisë është ai i porositësit të draftit të Kodit të Ri Penal, si përmbushje e detyrimeve tona në negociatat për integrimin në BE.

Ka dy rrugë në hartimin e një ligji si Kodi Penal ose përmës Drejtorisë se Kodifikimit ose përmes Institucioneve të Drejtësisë. Kemi zgjedhur këtë të dytën.

Menjëherë pas reformës në drejtësi u miratua Strategjia 2017-2021 dhe në pikën 4 thuhet se Shqipëria merr përdipër përmirësimin e legjislacionit penal. Në shkurt të vitit 2019 janë marrë nismat e para për ndryshimet në Kodin Penal që do të ishin të pjesshme.

Për shkak të ndryshimeve të shumta u konkludua se duhej hartuar një Kod i ri Penal. Kodi është hartuar nga Arben Rakipi me ndërhyrje të ekspertëve dhe më pas është konkluduar në një tryezë të rrumbullakët në vitin 2020 me pjesëmarrës nga institucionet e drejtësisë.

Në vitin 2023 kam ngritur një grup pune jo për të shkruar kodin e ri, por për të parë disa indikatorë, grupit të punës i kam lënë afat fundin e vitit 2024. Gjatë periudhës tetor 2024-shkurt 2025 janë zhvilluar një sërë takimesh me aktorët dhe grupet e interesit që kanë qenë të interesuar, rreth 40 të tilla me ekspertët e fushës. Drafti u dorëzua në Drejtorinë e Kodifikimit sipas afatit. Më 25 korrik patëm tryezën e parë. Kemi mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e paraqitura.

Hartimi ka marrë shumë kohë. Shqipëria duhet të ketë gati Kodin e Ri Penal në fund të vitit 2026," tha Manja.