PËRPLASEN PËR INTEGRIMIN/ PS thërret Komisionin me 29 gusht. Tabaku: Mbledhja, antikushtetuese! Gjonaj: Jo, ishte e ligjshme
Pavarësisht se Kuvendi është jashtë sesionit dhe vetëm pak ditë para përfundimit të mandatit, socialistët thirrën sot mbledhjen e Komisionit të Integrimit Evropian. Kryetarja Jorida Tabaku e cilësoi mbledhjen antikushtetuese dhe refuzoi pjesëmarrjen, ndërsa mazhoranca mbrojti ligjshmërinë e saj. Socialistët theksuan se mbledhja ishte e domosdoshme për të mos rrezikuar konferencën ndërqeveritare me BE-në më 2 shtator
Pavarësisht se jemi jashtë sesionit parlamentar dhe pak ditë para se Kuvendit t’i mbarojë mandate me 9 shtator, socialistët thirrën të premten një mbledhje të Komisionit të Integrimit Europian!
Në mbledhje mungoi kryetarja Jorida Tabaku dhe të gjithë anëtarët e komisionit nga ana e opozitës.
E pyetur nga “Ora News”, zonja Tabaku e cilësoi mbledhjen si antikushtetuese.
“I sqarova qeverisë se mbledhja e komisionit jashtë sesionit është antikushtetuese! Për një javë fillon sesioni i ri parlamentar dhe opozita e ka prioritet procesin e integrimit, duke bërë gjithçka që është në dorën e saj, ashtu siç ka bërë në çdo rast për këtë proces!”, u shpreh demokratja Jorida Tabaku.
Por për nënkryetaren e Komisionit Etilda Gjonaj, e cila foli për “Ora News” mbledhja ishte tërësisht e bazuar në ligj dhe rregulloren e parlamentit.
“Pse e thirrën 1 e 4 e deputetëve mbledhjen është se nëse nuk e thërret kryetari i Komisionit e thërret ¼ e anëtarëve të Komisionit. Meqënëse kryetarja nuk pranoi që ta thërriste mbledhjen, ne u detyruam që të kalonim në dispozitën tjetër të ligjit për të thirrur mbledhjen”, u shpreh Etilda Gjonaj.
Etilda Gjonaj tha se Mbledhja e sotme ishte shumë e rëndësishme dhe nga kjo mbledhje varej asgjë më pak sesa konferenca ndërqeveritare.
“Ishte shumë e rëndësishme për shkakun e një urgjence që ka qeveria për të depozituar pozicionin negociues për klasterin 5, me datën 2 shtator. Kështu që ne nuk do të bënim këtë mbledhje do të pengonim qeverinë që të çonte pozicionin negociues dhe e humbnim shansin për konferencën ndërqeveritare. Pra, kishte një interes shumë të lartë për Shqipërinë”, tha ajo.
Por kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se kishte ofruar zgjidhje për të kaluar ngërçin, por zgjidhjet nuk ishin pranuar nga qeveria.
“Ofrova disa zgjidhje praktike se si mund ta kalonim këtë ngërç, por qeveria vazhdoi në mënyrë të njëanshme! Asnjë nga deputetët që sot kanë thirrur mbledhje nuk janë të rizgjedhur dhe nuk kanë legjitimitetin për të thirrur mbledhje jashtë sesionit!”, tha Tabaku.
Në lidhje me situatën e krijuar “Ora News” iu drejtua edhe kryetares se Parlamentit Elisa Spiropali përmes zëdhënëses së saj, por që nuk mori asnjë përgjigje.
Mbledhja e zhvilluar paraditen e së premtes kishte në rend dite shqyrtimin e projekt pozicionit negociues për Grupkapitullin e V-të “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” për negociatat me BE-në. Për zëvendëskryetaren socialiste të këtij komisioni, Etilda Gjonaj mospjesëmarrja e opozitës nuk e cënonte mbledhjen
Aktualisht vendi ynë ka hapur 5 grupkapituj ndërsa Grupkapitulli i V-të “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” është i fundit. Objektivi i qeverisë është që të mbyllen negociatat brenda vitit 2027.

