Bozdo: Zgjedhjet, një farsë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar me tone të forta kundër procesit të fundit zgjedhor, duke e cilësuar atë si një “farsë të orkestruar deri në detaj” dhe jo si një proces real demokratik.

Në një status në FB, Bozdo akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për nënshtrim të plotë ndaj interesave të Partisë Socialiste dhe thekson se nën drejtimin e Edi Ramës, nuk ekzistojnë më kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Postimi i plotë në FB:

Asnjë dyshim nga KQZ gjithçka në shërbim të partisë në pushtet.

Procesi i fundit elektoral nuk ishte zgjedhje, por një farsë e orkestruar deri në detaj. As vetë Enver Hoxha nuk do të kishte guxuar të zhvillonte një proces kaq të njëanshëm e të manipuluar, sa ai që u pa nën Edi Ramën.

Në Shqipërinë e sotme nuk ka zgjedhje të lira. Kryeministri dhe partia e tij përdorën çdo aset shtetëror, çdo institucion dhe çdo mundësi presioni për të ndikuar rezultatin. Nga administrata publike, tek burimet financiare e deri tek mjetet propagandistike, gjithçka u vu në funksion të fitores së pushtetit.

Një shembull flagrant është manipulimi i kutive të votimit të diasporës nga Greqia, ku rezultuan deri në 93% vota për Partinë Socialiste, madje të gjitha të hedhura me të njëjtën bojë stilolapsi. Ky fenomen nuk është thjesht i pabesueshëm është prova më e qartë se procesi zgjedhor u deformua në mënyrë të qëllimshme.

Prandaj, është e qartë me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike. procesi mbetet një farsë, një teatër i shëmtuar ku vullneti i qytetarëve shkelet e zëvendësohet nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin.