Lirohet nga qelia Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës ka shlyer dënimin
Lirohet nga qelia Jorgo Goro! Gazetari Edison Vatnikaj raporton se ish-kryebashkiaku i Himarës ka shlyer dënimin e parë për “shpërdorim detyre”.
“Për çështjen e dytë s’ka masë sigurie. Ka marrë një dënim nga Shkalla e Parë e GJKKO-së dhe tani është në Apel çështja”, thotë Vatnikaj.
Kujtojmë se socialisti i Himares u dënua për tjetërsimin e pronës në Dhërmi ku përfitues fundor ishte Artan Gaçi, bashkëshorti i ish ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara mundësuan kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.
Për këtë çështje, Goro u deklarua fajtor dhe u dënua më 13 mars me 2 vjet e 20 ditë burg. Ndërkohë Jorgo Goro, është dënuar në shkallën e parë me 1 vit e 4 muaj me gjykim të shkurtuar dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike, edhe për dosjen e dytë lidhur me favorizimin e Arqile Bollanos për fitimin e një prone. Vendimi ende ska marrë formë të prerë.
VENDIMI
Me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, ndaj shtetasit Jorgo Goro, i biri i Sokrat dhe i Semina, i datëlindjes 09.12.1965, lindur në Vlorë dhe banues në Himarë, është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 në lidhje me nenin 25 të K.Penal, kryer 2 herë, vazhduar me shkurtim- vendimin Nr. 34, datë 26.03.2024 të po kësaj gjykate.
Me Vendimin Nr.25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi me vendimin Nr.39, datë 22.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit, shtetasi Jorgo Goro, është dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 20 (njëzet) ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim, 2 herë dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuara nga nenet 248-25, 248-25 dhe 257/a/2 të K.Penal. Marrë formë më datë 22.07.2025
Arrestuar me datë 23.03.2024.
Ky vendim është ekzekutuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me shkresën Nr.25235 Prot/Q.Sh, datë 23.07.2025, ku citohet se i dënuari prej datës së arrestit 23.03.2024 deri më datë 22.07.2025, kur vendimi ka marrë formë të prerë, ka vuajtur në paraburgim sipas nenit 7 të K.Penal 1 (një) vit, 11 (njëmbëdhjetë) muaj e 29 (njëzet e nëntë) ditë burgim dhe pas datës 22.07.2025 i mbeten për të vuajtur edhe 21 (njëzet e një) ditë burgim.
Pra, sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se dënimin e ka plotësuar sot.
* Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, sot më datë 12.08.2025, ora 20:00.

